Parlamenti votoi më 17 mars përbërjen e Këshillit të ri drejtues të RTSH-së, duke zgjedhur në këtë institucion individë të lidhur ngushtësisht me politikën, gjë që shqetësoi organizatat që mbrojnë lirinë e medias dhe së fundmi edhe Bashkimin Europian. Kryetar i këtij këshilli u votua Fatjon Hoxhalli, 38 vjeç, me një përvojë pune gati një dekadë si këshilltar i afërt i Niko Peleshit, gjatë detyrave të tij në ekzekutiv dhe si kryetar i grupit parlamentar socialist.
Në bordin me 10 anëtarë janë gjithashtu këshilltari i ish-ministrit socialist Bledi Çuçi, një ish-zëvendësministër në qeverinë “Rama” dhe emra që vijnë nga fusha e artit apo gazetarisë, por që kanë një sfond politik ose afërsi me Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike. RTSH është operatori i vetëm publik në vend dhe, në bazë të dispozitave ligjore e standardeve të lirisë së medias, do të duhej të ishte i pavarur nga politika. Standardet janë rrezikuar plotësisht me zgjedhjen e fundit, duke ngritur shqetësime për angazhimet që vendi ka ndërmarrë në procesin e integrimit.
