Kandidati për deputet i koalicionit “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, Ilir Alimehmeti ka folur dje lidhur me zhvillimet e fundit pas prezantimit të listave të kandidatëve. Teksa ishte i ftuar në një media, Alimehmeti i pyetur se a ka ‘qejf mbetje’ lidhur me faktin, se edhe pse i treti më i votuar, ai u la në listë të hapur në qarkun e Tiranës, ai thotë se ka qenë pro listave të hapura dhe se nuk është nga ata që e emëron kryetari. Alimehmeti ka folur dhe se si ai e mendon përfshirjen e aleatëve në listë. “Në radhë të parë është shtjelluar fakti që ishte një votë politike një sovran politik. Gara ishte puro politike. Ju thatë listë e mbyllur, listë e hapur.
Unë do doja ta mbanin listë fituese dhe listë jo fituese. Unë kam qenë për listë të hapur që në fillim. Unë personalisht kam qen për listën e hapur. Unë veten e kam parë veten në listën e hapur. Unë gjithë kohës kam mbrojtur listën e hapur dhe aty veten e mendoj. U bë shumë vite që ne jemi larguar nga demokracia e drejtpërdrejt. Unë jam për një demokraci të drejtpërdrejt dhe votuesi duhet të di kush të përfaqësojë. Unë do doja të kisha parë më shumë parti aleate. Ky është tagër dhe privilegj dhe përgjegjësi e partisë, nga kryesia e cila përbëhet nga kryetari, nën/kryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm.
Unë personalisht jam për pozicionet e zgjedhura. Të përfaqësosh veten si i zgjedhur. Unë e dua veten të zgjedhur jo të emëruar nga kryetari”, deklaroi ai. Nga ana tjetër Alimehmeti ka komentuar edhe rastin e deputetit të Partisë Demokratike Dashnor Sula, i cili u la jashtë listave të PD, por iku edhe nga Adriatik Lapaj. “Duhet të kuptojmë se ka një pjesë të madhe të demokracisë, por ka dhe një pjesë të madhe të politikës. Unë mendoj që kjo është një rrugë dhe ka dhe momente dhe të vështira, duke menduar në mënyrë kolektive dhe jo individuale. Ke nga pas njerëz që të kanë besuar, pra nuk je i vetëm. Nëse është për qejf mbetje duhet ta lëmë mënjanë, kur është gjithë ai popull opozitar që kërkon të fitojë. Unë mendoj të shkojmë atje duke hequr diçka nga vetja”, nënvizoi Alimehmeti.
