Kur motra e tij pësoi ishemi cerebrale vitin e kaluar, Arbeni* u vendos përpara një zgjedhjeje të vështirë. Në pavionin Neurologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mjekët i thanë se motra 61 vjeçare ishte në gjendje të rëndë dhe duhej t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje urgjente për të mbijetuar. Por mjekët ishin gjithashtu duarlidhur – ndërhyrja nuk realizohej në shtet, por vetëm në njërin prej spitaleve private të vendit.
“Firmosëm që e nxirrnim pacienten me kërkesën tonë dhe e çuam te spitali Amerikan 3, erdhi vetë urgjenca e mori,” kujton Arbeni, emri i të cilit u ndryshua me kërkesën e tij për të folur në kushtet e anonimatit.
“Kur shkuam atje, na thanë për çmimin e ndërhyrjes 20 mijë euro. Por nuk e fusnin në sallë pa dhënë një kapar,” shtoi ai.
