Inspektorati i Lartë i Drejtësisë i kërkon Këshillit të Lartë Gjyqësor për dhënien e një mase disiplinore “vërejtje publike” për gjyqtaren e Kukësit, Ajshe Xhafa.
Hetimi disiplinor ndaj gjyqtares ka nisur me iniciativë nga ILD për shkak të sjelljes së saj me dy gjyqtare të tjera, anëtare të të njëjtit trup gjykues.
“Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka filluar hetimin disiplinor me iniciativë, ndaj magjistrates A. Xh., me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për shkeljen disiplinore të parashikuar, si “Shkelja e përsëritur ose e rëndë e rregullave të solemnitetit, rregullave të sjelljes në marrëdhëniet me magjistratët e tjerë”, në referim të nenit 102, pika 2, shkronja “dh” e ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Ky hetim ka filluar mbi bazën e shqyrtimit të informacionit të pasqyruar në procesverbalin e një mbledhje të përgjithshme të gjyqtarëve të shtatorit 2024, gjatë së cilës janë zhvilluar debate mbi disa procese pune në gjykatë.
Nga analiza ligjore e fakteve të konstatuara gjatë hetimit disiplinor ndaj gjyqtares A. Xh., rezulton se:
· Magjistratja A. Xh. në cilësinë e anëtarit të trupit gjykues ka shkelur rregullat e sjelljes me magjistratët e tjerë, pjesë e trupit gjykues, gjatë zhvillimit të një seance publike.
