Partia Demokratike ka thirrur ditën e sotme një protestë për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë për mbylljen e platformës TikTok, me pretendimet se ajo nxit dhunë dhe agresivitet tek të miturit.
Protesta pritet të mbahet në orën 19:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para godinës së Kryeministrisë, ku protesta do të bazohet kryesisht me të rinj nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike.
Leja e kërkuar në Policinë e Tiranës nga organizatorët e tubimit është dy orë, duke nisur nga ora 19:00 deri në orën 21:00.
Që me nisjen e protestës e deri në përfundim të saj, nga Policia Rrugore do të bllokohen të gjitha rrugët që lidhen me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe do të ketë devijime në disa prej tyre.
Në terren do të jenë rreth 1 200 efektivë. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA, nëse do të duhet ndërhyrja e tyre.
