Ishte një natë e ftohtë e marsit të vitit 1999. Nuk kishin kaluar shumë ditë nga fillimi i bombardimeve ajrore të NATO-s, që synonin të ndalonin çmendurinë e politikës serbe, gjenocidin dhe masakrat ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Në Rimini, Itali, në ‘Sallën e Kolonave’, në një seancë të hapur për publikun, mblidheshin grupimet e majta politike, me pjesëmarrjen edhe të disa parlamentarëve të kësaj ngjyre politike, që në atë kohë ishte edhe në pushtet, për të diskutuar, propozuar dhe për të kërkuar zyrtarisht pushimin e menjëhershëm të fluturimeve ajrore të NATO-s nga territori italian, drejt Kosovës. Në këtë mbledhje nuk ishte i pranishëm asnjë kosovar apo shqiptar, por kishte të ftuar serbë, madje edhe me tituj akademikë.

U njoftova rastësisht dhe vrapova për të marrë pjesë. Ajo që dëgjova ishte me të vërtetë skandaloze. U tha se tërë historia e Kosovës, lindja dhe lulëzimi i saj, fillonte e mbaronte me lindjen dhe lulëzimin e shtetit serb, në shekujt XI-XIII-të dhe se tërë kultura serbe, qenka vetëm në Kosovë. Disa nga parlamentarët e majtë, që ishin të pranishëm, sapo ishin kthyer nga Beogradi, ku ishin takuar në mënyrë të fshehtë dhe jozyrtarisht, personalisht me Millosheviçin.
Meqenëse në mbledhje arrita pak me vonesë, një i njohuri im, nën zë me tregoi se Millosheviçi, u paska thënë këtyre zotërinjve, ndërmjet tjerash, se; “Amerika po e bën luftën, vetëm për të vendosë një bazë ushtarake në Kosovë, e se po të ma kërkonin mua, do t’ia jepja dhe nuk do të kishte më arsye që të luftonte kundër Serbisë, prandaj duheshin ndaluar menjëherë bombardimet ajrore të NATO-s”! Ndërmjet tjerash Millosheviçi kishte paraqitur një hartë, ku Kosovës i mungonin territoret në veri, që së bashku me Mitrovicën dhe rajonet minerale, i ishin bashkuar Serbisë.
Po të ndjekim një logjikë të tillë, ultra-nacionaliste, Shqipërisë duhet t’i bashkohen shumë territore, që sot ndodhen në Serbi, Maqedoni, Greqi, Kosovë e Mal të Zi. Hungarisë gjithashtu, etj. Një ide e tillë do të thotë të destabilizohen tërë rajonet e Ballkanit. Në interes të kujt ishte një politikë e tillë? U zemërova shumë. Kuptova se ndaj popullit të shumëvuajtur shqiptar të Kosovës, duke i hequr tërë rajonet e industrializuara, dëmtohesh tërë ekonomia e saj si dhe tregu minimal i brendshëm, që siguron ekzistencën e një shteti, po i përgatisnin Kosovës një të ardhme në varfëri.
Propozonin të njëjtën gjë që bënë me Shqipërinë në vitin 1913, kur brenda kufijve të shtetit shqiptar, mbeten vetëm kënetat e malet e thepisura, ndërsa fushat e pllajat pjellore, iu dhanë si dhuratë shteteve fqinjë. Kërkova me këmbëngulje dhe mora fjalën. Pasi bëra një hyrje historike për disa injorantë në lëndën e historisë e, që ishin të pranishëm, fola duke ngritur zërin, se kjo mbledhje ishte një turp për shoqërinë demokratike italiane, e cila kishte jo vetëm detyrë të vazhdonte luftën si anëtare e NATO-s, për ndalimin e agresionit e gjenocidit të çmendur serb në Kosovë, por edhe të mendonte për të ardhmen e këtij rajoni, në mënyrë që popujt tanë fqinjë të jetojnë në paqe, në respekt reciprok e në begati. Një ndarje e Kosovës është e papranueshme.
