Një nga momentet më të rëndësishme ishte dërgimi i një mesazhi të drejtpërdrejtë, ku paralajmëronte pasojat për ata që nuk do të votonin pro reformës. “I nderuar zoti Deputet! Ne ju presim nesër në selinë e ambasadës deri në ora 12:00 për t’ju informuar për pasojat që do të keni nëse nuk votoni pro reformës në drejtësi. Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, Donald Lu!”. Imagjinoni fytyrat e deputetëve teksa lexonin këtë mesazh. Disa mund të kenë menduar se ishte një shaka, të tjerë mund të kenë kontrolluar dy herë numrin e dërguesit. Por jo, ishte e vërtetë. Ambasada amerikane kishte vendosur t’u kujtojë se bota po i shikonte dhe nëse nuk do të votonin do e kishin punën “pisk”.
Ky veprim tregoi angazhimin e fortë të SHBA-së për të shtyrë përpara ndryshimet në drejtësi. Natyrisht, një veprim i tillë nuk mund të kalonte pa reagime. Disa politikanë e panë këtë si një ndërhyrje të papranueshme në punët e brendshme të vendit. Genc Pollo, një nga deputetët e kohës, e quajti këtë akt “të papranueshëm” dhe kërkoi që të refuzohej. Megjithatë, për disa të tjerë, ky mesazh ishte një shtysë e nevojshme për të vepruar. Në atë kohë publikisht për këtë mesazh reagoi dhe Agron Duka. Ky i fundit tha se shkoi në ambasadë, takoi dy punonjës dhe pati një takim të shkurtër kortezie me ambasadorin.
Ata i thanë se duhej të votonte Reformën në Drejtësi sepse ishte shumë e rëndësishme për vendin. “Gjë të cilën unë nuk kisha shumë nevojë, sepse unë vetë isha përgatitur që reforma në Drejtësi duhet të kalonte”, deklaroi Duka. Nga ana tjetër, Dashamir Shehi e konsideroi dërgimin e këtij mesazhi si të padrejtë. “Unë gjykoj që nuk është e drejtë, absolutisht”, shprehej ai kohë më parë. Pavarësisht këtyre reagimeve, Donald Lu arriti të bindë deputetët që të votojnë një nga një reformën në drejtësi. Në fund të fundit, kur Amerika të thërret, është e vështirë të injorosh. Dhe kështu, më 22 korrik 2016, Reforma në Drejtësi u miratua me 140 vota pro në Kuvendin e Shqipërisë.
Qëndrimet e Ramës
Kryeministri Edi Rama ka theksuar në disa dalje publike së fundmi se Reforma në Drejtësi nuk erdhi nga jashtë, por u bë nga mazhoranca dhe partnerët e saj. Dje në rubrikën e tij “Sy m’Sy”, ai është shprehur se kjo reformë nuk u soll nga SHBA apo BE, por u realizua nga Partia Socialiste dhe aleatët e saj, të cilët votuan ndryshimet kushtetuese me vullnet të plotë. “Nuk vinte kurrë se po të vinte do të kishte ardhur që nga 1912 e deri ku unë dhe PS së bashku, skuadra jonë bëmë Reformën në Drejtësi, as ti e as paraardhësit e tu që kanë jetuar në këtë vend, nuk kanë parë asnjë gjë të tillë, siç po shikojmë sot”, tha ai. Pyetja që shtrohet, vijoi Rama, është: Si ka mundësi që nga 1912 deri kur nisi puna e institucioneve që u krijuan nga Reforma në Drejtësi nuk u bë një hetim, nuk u thirr nga një prokuror dhe nuk u çua një njeri me pushtet politik në Gjykatë?
“Kjo shpjegohet me faktin se unë dhe skuadra ime vendosëm diçka që nuk e ka bërë askush më parë, t’i dorëzojmë drejtësisë “shpatën e ndëshkimit” që historikisht ishte në duart e pushtetit politik”, deklaroi ai. Kryeministri solli në vëmendje se Dumani ishte edhe para Reformës në Drejtësi prokuror, por nuk ka pasur fuqinë që ka sot. “Altin Dumani, për të cilin kam respekt dhe ia kam shprehur solidaritetin e të gjithë qeverisë, ka qenë aty, prokurorët kanë qenë aty. Por nuk kanë pasur fuqinë që kanë sot, sepse shpatën e ndëshkimit e mbante kush rrinte në zyrën e kryeministrit dhe e përdorte për hesapet e pushtetit të vet”, tha Rama. Kryeministri theksoi se atë shpatën që mban Zonja e Drejtësisë, e mbante pushteti ekzekutiv.
“Unë e dorëzova “shpatën” për të bërë këtë që po bëj, sepse kjo është e vetmja rrugë. Sigurisht ka koston e vet. Unë e dija se çfarë po bëja”, u shpreh kryeministri. Megjithatë, pavarësisht rolit të qeverisë në këtë proces, është fakt se reforma nuk do të mund të miratohej pa mbështetjen e SHBA-së dhe presionin e tyre mbi palët politike. Votimi kërkonte një shumicë prej 94 votash, të cilat nuk mund të siguroheshin vetëm nga Partia Socialiste. Prandaj, ndërhyrja ndërkombëtare u bë e domosdoshme për të bindur skeptikët dhe për të arritur një konsensus politik.
