Evropa po përpiqet të marrë rol udhëheqës mbi përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump të hënën ndërpreu të gjithë ndihmën ushtarake për Kievin. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Anita Powell zhvillimet e fundit, posaçërisht pas debatit të ashpër në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar kanë tërhequr vëmendjen e kryeqyteteve të mëdha në pothuajse të gjitha anët e botës.
Në Evropë janë shtuar shqetësimet mbi Ukrainën, ndërsa bota merret me pasojat e takimit që u mbajt javën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë.
Diskutimi i ashpër mes Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit ukrainas Volodomyr Zelensky bëri që të mos nënshkruhej marrëveshja mbi mineralet e rralla ukrainase. Presidenti Trump thotë se marrëveshja është me rëndësi thelbësore për vazhdimin e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për Kievin.
