Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi, njoftoi dje se ka depozituar në SPAK kallëzim penal ndaj Belinda Ballukut. Ai akuzon ministren e Energjisë se ka shpërdoruar një shumë prej 80 milionë euro me aferën e termocentraleve lëvizëse “Tigri 1” dhe “Tigri 3”. Sipas tij, për termocentralet lëvizëse u paguan paratë, por nuk prodhuan asnjëherë energji, duke theksuar se për këtë aferë ka dorëzuar një mal me dokumente në SPAK.
Një ditë pasi publikoi një foto ku tha se ka dorëzuar në SPAK 11.3 kg prova për zv.kryeministren Belinda Balluku, kreu i grupit të PD-së në një deklaratë për mediat njoftoi se e ka kallëzuar për dy TEC-et lundruese të ankoruara në Vlorë, “Tigri 1” dhe “Tigri 3”. Duke e quajtur një skemë si ajo e inceneratorëve, Bardhi tha se dy TEC-et lundruese nuk janë vendosur ende në punë dhe kjo, sipas tij, tregon se qëllimi ishte shpërdorimi i dyshimtë i 80 milionë euro dhe jo furnizimi me energji elektrike. Bardhi akuzoi se kompania për dy TEC-et ishte paracaktuar nga Balluku. Për këtë thotë se ka dokumente që e provojnë.
“Kompania fituese ‘Excelarate Energy’, në regjistrat zyrtarë amerikanë, ka referuar që në janar se ishte njoftuar nga shteti shqiptar për shpalljen fituese. Pra, ndërkohë që tenderi në Shqipëri ishte ende i hapur formalisht, kompania ka njoftuar autoritetet përkatëse amerikane se e kishte fituar atë. Pala shqiptare, e përfaqësuar nga Belinda Balluku, e shpalli fituesin në mars 2022. Dokumentet zyrtare provojnë se fituesi i paracaktuar i bleu anijet në Bangladesh në prill 2021. Kjo do të thotë se as gjatë shpalljes së ofertës në janar 2022, as në ditën e firmosjes së kontratës në prill 2022, kompania e regjistruar në parajsë fiskale në Delauer, nuk dispononte mjete të prodhimit të energjisë, një nga kushtet kryesore për të qenë pjesëmarrës në garë”, deklaroi Bardhi.
