24 masat e sigurisë për stafin e Universitetit Bujqësor kërkuar nga SPAK-u dhe miratuar nga Gjykata e Posaçme kanë tronditur kryeministrin Edi Rama, i cili sot pranoi që të dëgjonte rektorin dhe më tej vetë tha se shumë prej këtyre masave do të rrëzohen nga Strasburgu sikur ndodhi sipas tij me ish-drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçi.
“Dje ka nisur një fillim mbrapsht për Shqipërinë në Strasburg dhe shumë masa sigurie mund të rrëzohen në Strasburg. Këto kanë kosto tepër të madhe. Ne nuk mund të themi se le të torturohen dhe njerëz të pafajshëm. Kjo nuk ka kuptim.
Si i shpjegohet austriakëve që një forcë speciale futet në Universitet dhe merr 24 masa sigurie për paraburgim, arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje a thua se u fut në fshatin e Corleones, këto 24-34-44 u bën Prokuroria Antimafia në Itali, por në një Universitet? Kur e pyeta rektorin për çfarë shume bëhet fjalë, tha për nën 300 mln të vjetra, pastaj pashë që është edhe më shumë.
