Partia Demokratike ka miratuar emrat e 289 kandidatëve për në primaret që do të zhvillohen në datën 1 mars. Nga një verifikim jo i thelluar, mes kandidatëve rezultojnë edhe personazhe me dosje, të dënuar dhe subjekte të ligjit anti-mafia. Deputeti aktual i PD, Isuf Çela, i cili ka shprehur interesin për të rikandiduar në Kukës, rezulton pjesë e dosjes “Toyta Yaris”, e cila po hetohet nga Altin Dumani dhe Klodian Braho. Çela implikohet në manipulimin e shortit dhe diktimin e gjyqtarëve të çështjeve nga komunikimet e kryesekseres në ish Prokurorinë e Krimeve të Rënda Erjona Daupaj, e njohur si “Nikita” e Prokurorisë. Pjesë e kësaj dosje janë edhe disa magjistratë dhe ish magjistratë të lidhur me PD-në. Ndoshta kjo mund të jetë arsyeja se pse Sali Berisha nuk flet më për dosjen “Toyta Yaris”, për të cilën akuzonte Dumanin se po ‘amnistonte’ Taulant Ballën. Ndërkaq, deputetja e PD, Elda Hoti, e cila ka shprehur interesin për të rikandiduar në Qarkun e Lezhës, është subjekt i veprimit të ligjit anti-mafia. Bashkëshorti i saj Ladi Ndoja, në vitin 2016, u arrestua në flagrancë në Venecia të Italisë, pasi e kishte kthyer shtëpinë në bazë droge.
Policia i gjeti në banesë 50 kg marijuanë dhe 24 karta identiteti të vjedhura. Zonja Hoti ka bërë më pas një ndarje të dyshuar fiktive nga Ladi Ndoja, ndoshta me qëllim që kjo ‘njollë’ të mos prekë karrierën e saj politike. Ndërkaq, në vitin 2021, Llesh Nikolli iu drejtuar KQZ-së me ankesë, duke akuzuar deputeten Elda Hoti se ka fshehur ndryshimin e emrit të babai të saj nga David në Artan Hoti, për shkak të të shkuarës së tij kriminale. Zonja Hoti i mohoi akuza, raporton “Prapaskena”. Në Lezhë kandidon edhe kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi, pjesë e SHIK-ut famëkeq të Bashkim Gazidedes, si dhe pjesë e një liste pedagogësh të denoncuar nga studentët për favore seksuale dhe para në këmbim të notave kaluese në provime. Pritet të konfirmohet kandidat i PD për deputet në Lezhë edhe i famshmi Gjin Gjoni, simboli i drejtësisë së vjetër, i kallëzuar nga ILDKP për fshehjen e 2 milionë eurove pasuri. Gjin Gjoni gënjeu prokurorinë për një vilë 700 mijë euro në Farkë, duke deklaruar se kishte hequr dorë nga ajo pasi nuk e përballonte dot çmimin, por disa vite më vonë vila figuroi në pronësi të tij.
Në Vlorë ka shprehur interesin për të kandiduar për deputet me siglën e PD, Dashamir Tahiri, i dënuar me 9 muaj burg më 1999 në qytetin e Ravenës në Itali, për përdorim dokumentesh të falsifikuara. Në vitin 2016, KQZ i hoqi mandatin Dashamir Tahirit pasi nuk e deklaroi dënimin në formularin e dekriminalizimit. Vendimi i KQZ u la në fuqi nga gjykatat e të gjitha shkallëve. Në Vlorë ka shprehur interesin për të rikandiduar deputetja Ina Zhupa, përfituese e mbi 300 tenderave me vlerë miliona euro, përmes bashkëjetuesit Fabian Goçi. Në Vlorë mes kandidatëve rezulton edhe këshilltari ushtarak i ish Presidentit Ilir Meta, Piro Ahmetaj. Më parë Ahmetaj ishte këshilltar i ish-presidentit Nishani, ku u përfshi në një betejë të gjatë dhe të ashpër akuzash me deputetë të Kuvendit. Për rrjedhojë, Ahmetaj dha dorëheqjen në vitin 2015. Deputeti Spartak Braho e ka akuzuar publikisht Piro Ahmetajn se ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit me pseudonimin ‘Shkodrani’.
