Më 14 shkurt, ditën e Shën Valentinit, dyqani me lule në lagjen “Dëshmorët e Kombit” në hyrje të qytetit të Beratit ishte i mbushur plot me blerës. Pronari i dyqanit, një djalë rreth të 30-ve nxiton të shpërndajë porosi me buqeta me trëndafila, ndërsa i gëzohet klientelës.
“Sot kemi pak punë, se ditët e tjera mezi nxjerrim detyrimet e shtetit”, thotë i riu, ndërsa shton se pa filluar mirë fushata elektorale, bizneset e vogla si dyqani i tij i luleve, po përballen me presion.
”Presione kështu hapur fare nga zyrat e taksave, tek sigurimet, jo për kë do votojë familja, për kë do votosh ti”, thotë i riu, ndërsa kërkon të jetë anonim.
Tregtari i luleve nuk ka asnjë lidhje me politikën lokale apo me atë qendrore, por megjithatë është i bezdisur nga kontrollet e vazhdueshme.
“Po t’i gjejnë lidhjet ata dhe bëjnë presion, se të kontrollojnë për dokumentet e biznesit, numrin e punëtorëve. Por le të kontrollojnë po të duan, unë dhe një punëtor që shpërndante lulet e hoqa, se nuk e paguaja dot. Tani i shpërndaj vetë”, shton ai.
