Haxhinasto, Blushi dhe Xhixho nuk lejohen të takojnë Metën tek 313-ta, reagon ashpër ish-presidenti, ndalimi i…

Data

Në qeli priste ta takonin miqtë e partisë, ndërsa nga gjykata Ilir Meta priste lajme për procesin e divorcit me Monika Kryemadhin. Por asnjë zhvillim i pritshëm për dje nuk mundi të realizohej. Anëtarët e partisë mbetën vetëm në oborrin e burgut 313, ndërsa Monika Kryemadhi nuk shkoi në seancën e pajtimit. Sipas deputetit Petrit Vasili, për këtë takim të pritshëm me Metën ishte njoftuar SPAK, dhe ende nuk dihet se çfarë shkoi keq, apo nëse burgjet e kishin aprovuar lejen për takim. “Nuk patëm takim me Metën, se qeveria, duke shkelur çdo lloj norme, pengoi takimin tonë të lajmëruar e kërkuar zyrtarisht. pasi hymë në oborr, pritëm mbi 1 orë e gjysmë për të na njoftuar që s’mund të bënim takimin”, deklaroi dje shkurtimisht për mediat deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili.

Po ashtu, edhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi denoncoi në konferencë atë që e quajti shkelje flagrante e ligjit dhe e konventës së të drejtave të njeriut. Për këtë ai bën me faj Ramën. “Burgun e Durrësit e ktheu në seli të PS-së. Janë mbledhur të gjithë ortakët e bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Nga ana tjetër presidentit të Partisë së Lirisë i mohohet e drejta të takohet me deputetët e tij, deklaroi dje shkurtimisht për mediat, Blushi, i cili shoqërohej paraditen e djeshme tek burgu 313 së bashku me Petrit Vasilin, kryetarin e KDK-së së kësaj partie, Edmond Haxhinasto, e Erisa Xhixhon. Ndërkohë presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar dje në rrjetet sociale në lidhje me atë që e cilësoi pengimin me orë të tëra të përfaqësuesve të partisë për ta takuar në burg.

“E paimagjinueshme ajo që ndodhi sot ku deputetët e Partisë së Lirisë, Z. Petrit Vasili dhe Znj. Erisa Xhixho, u penguan për orë të tëra dhe nuk u lejuan, në shkelje të hapur të ligjit, të Kushtetutës dhe të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të më takonin në ambientet ku prej 4 muajsh mbahem i izoluar në ekstrem pa fakte dhe pa prova penale. Ky rast i përsëritur, pas ndalimit po të dhunshëm, që iu bë deputetit dhe kryetarit të PBDNJ, Vangjel Dule dhe eurodeputetit Fredi Beleri, dëshmon edhe njëherë “standardet europiane” të Narkoshtetit dhe Narkodrejtësisë, që më mohojnë edhe të drejtën për t’u takuar deputetë dhe drejtues të Partisë së Lirisë, sipas përcaktimeve ligjore që janë respektuar prej tyre në mënyrë shumë ligjore dhe rigoroze”, nënvizon Meta.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related