Arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj me akuzat e korrupsionit ndryshoi qëndrimin e kryeministrit Edi Rama ndaj drejtësisë së re, përmes një ligjërimi që ekspertët e analizojnë si një përpjekje për të manipuluar emocionalisht publikun dhe për të shmangur vëmendjen nga argumentet racionale.
E hëna e 10 shkurtit e gjeti kryeministrin Edi Rama në një takim rutinë në qytetin e Shkodrës, por rrjedha e ditës ndryshoi katërcipërisht në mesditë, kur ai mësoi se Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës dhe i projektuari në publik si pasardhësi i tij politik, u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme me akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Mediat raportuan për një kthim urgjent të Ramës drejt Tiranës, por ai nuk reagoi deri të martën në mëngjes. Në një lidhje live në rrjetet sociale, Rama u pa të përplaste pëllëmbën mbi tavolinën e punës dhe iu hakërrye kameras si reagim ndaj një problemi teknik.
Kur iu rikthye bisedës me ndjekësit, Rama e justifikoi veten si njeri pasionant, duke i kujtuar publikut se ishte po ai Ramë që dikur dilte me sopatë në krah rrugëve të Tiranës për të prerë shtyllat elektrike që prishnin pamjen e trotuarëve. Më pas, ai mori në mbrojtje Veliajn dhe targetoi prokurorët dhe gjyqtarët e strukturës së posaçme antikorrupsion, për herë të parë që prej krijimit të institucionit në vitin 2019.
Rama e përshkroi punën e Prokurorisë së Posaçme në hetimin ndaj Veliajt si të ‘dalë nga shinat kushtetuese’ dhe dosjen hetimore si “roman policesk”, ndërsa përpiqej të justifikonte ndryshimin e narrativës së tij ndaj drejtësisë së re si një kërkesë për ‘standarde demokrate’.
