Pra siç e ndoqët nuk bëhet fjalë për vetëm 864 mijë euro blerje bizhuterish dhe rrobash të shtrenjta nga bashkëshortja e kryebashkiakut. Por për një skemë të mirëfilltë korrupsioni, evazioni fiskal me fatura fiktive dhe fshehje e të ardhurave.
Ndërsa Erion Veliaj tenton të manipulojë opinionin publik për aktivitete të rregullta të bashkëshortes së tij, provat shkresore përforcohen edhe më shumë nga komunikimet e punonjësve të OJF-ve të Ajola Xoxës dhe njerëzve të tyre të besuar.
Për faktimin e aferave korruptive dhe mënyrën se funksiononte skema fiktive e OJF-ve të Ajola Xoxës, prokurori Olsi Dado në vitin 2023, kishte në dispozicion edhe një provë kyçe, telefonin e ekonomistes Adela Kondakçiu. Kjo e fundit, përveç se financiere e Ajola Xoxës rezulton të ketë qenë edhe financierja e Artan Gaçit, bashkëshortit të Olta Xhaçkës, që gjithashtu janë nën hetim nga SPAK për tjetërsimin e pronave në bregdetin e Himarës.
Në kuadër të dosjes nr.189 të vitit 2023, në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Himarës Jorgo Goro, prokurori Ols Dado sekuestroi edhe telefonin financieres së Gaçit, Adela Kondakçiu. Nga kqyrja e telefonit, veç të dhënave për dosjen e abuzimit me pronat në Himarë u përftuan edhe të dhëna tronditëse për aktivitetin e jashtligjshëm të Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës, vepra penale të cilat nuk mund të anashkaloheshin.
Adela Kondakçiu: Me Ajola Xoxën njihem që prej vitit 2014, kur punonte për një agjensi reklamash.
