Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka mbrojtur vendimin e tij për t’i dhënë biznesmenit miliarder, Elon Musk, një rol të rëndësishëm në administratën e tij si kreu i Departamentit të Efiçiencës Qeveritare (DOGE), mes kritikave për ngrirjen e financimeve për USAID-in, që ndikoi në programet për ndihmë të huaj në mbarë botën.
Trump kufizoi punën e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar kur urdhëroi një ngrirje 90-ditore të shpenzimeve më 24 janar. Ky vendim preku shumë biznese dhe organizata jofitimprurëse në Ukrainë, të cilat tani po përballen me vështirësi. Ai gjithashtu ndikoi në programet e ndihmës për njerëzit në Afganistan. Ky vendim kishte bërë jehonë edhe në Kosovë, ku USAID-i thotë se ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës që nga viti 1999.
