Jorida Tabaku: Taksat dhe zhvlerësimi i euros kanë ndikuar në rënien e biznesit

Data

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi dje se taksat dhe zhvlerësimi i euros kanë ndikuar në rënien e biznesit. Në fjalën e saj në Kuvend gjatë diskutimit për projektligjin “Për ratifikimin e vendimit nr.1/2024 të Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale të Origjinës Pan-Euro-Mediteriane të 12 dhjetorit 2024, për ndryshimin e vendimit nr. 1/2023 të Komitetit të Përbashkët, miratuar me ligjin nr. 59/2024, në lidhje me përdorimin e certifikatave të qarkullimit të lëshuara në mënyrë elektronike, në kuadrin e kësaj konvente, të zbatueshme që nga 1 janari 2025”. Tabaku u shpreh se, “ka dy sektorë të cilët janë në rënie. E para është bujqësia, e cila ka pothuajse 6 tremujorë, që jo është zero, por është me rënie dhe e dyta është industria prodhuese”. “Të dyja këto vuajnë nga një element i përbashkët, taksat dhe nga ngarkesa që sot kanë taksat në bujqësi, nga ana tjetër dhe në industri dhe zhvlerësimi i euros, që ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në të gjitha kompanitë të cilat prodhojnë, që janë kompanitë kryesisht dhe eksportuese, kompanitë fason”, tha Tabaku. “Kemi diskutuar herë pas here se masat e qeverisë kanë qenë të pamjaftueshme. Masat e qeverisë kanë detyruar bizneset që të mbyllin dyert e tyre dhe kjo është reflektuar edhe në rënien e eksporteve”, shtoi ajo. Tabaku u shpreh se, “100 mijë punonjës të industrisë fason sot janë në rrezik, dyert e bizneseve janë duke u mbyllur, punonjësit janë duke u pushuar nga puna, si rezultat i zhvlerësimit të euros, sepse produktet që prodhohen në Shqipëri nga këto kompani nuk dalin dot nga tregu sepse këto produkte kanë vlerë pothuajse zero si rezultat i zhvlerësimit të euros”. “Marrëveshja që miratojmë ne sot është një konventë rajonale standarde që s’ka për të  ndryshuar asgjë në sektor. PD, opozita nëpër komisione ka mbështetur të gjitha këto lloj marrëveshjesh që janë standarde dhe ndërkombëtare, por sot industria ka nevojë të ndryshojë duke pasur parasysh që duhet ndryshuar modeli ekonomik që e ka mbajtur këtë sektor në këtë situatë dhe bujqësinë po në këtë situatë”, nënvizoi Tabaku.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related