
Bandat shqiptare tani njihen nga policia si dominuese në tregun e drogës në Mbretërinë e Bashkuar, duke nxjerrë jashtë loje rivalët e tyre, me çmime më të ulëta, pa përmendur dhunën vdekjeprurëse. Thuhet se bosët e krimit nga shteti ballkanik kanë shfrytëzuar lidhjet e drejtpërdrejta me kartelet kolumbiane për të siguruar kokainën me çmimin më të mirë, duke u dhënë mundësinë të fitojnë bashkëpunimin e bandave britanike, me premtimin e fitimeve më të larta.
Por, ndërsa ky model ka bërë që një brez i ri kriminelësh të marrë nën kontroll grupet e krimit të organizuar në qytete të mëdha si Londra dhe Birminghami, kjo nuk është e vërtetë kudo, thotë ‘Daily Mail’. Liverpuli dallohet si një nga zonat e pakta, ku shqiptarët nuk mund të operojnë, thonë ekspertët, pasi tregtia e drogës mbetet në duart e kriminelëve vendas, shpesh me lidhje të forta me komunitetet që terrorizojnë.
Kjo u tregua nga dënimi i fundit i çiftit të ri nga Liverpuli, Eddie Burton, 23 vjeç, dhe Sian Banks, 25 vjeç, për drejtimin e një operacioni kontrabande droge prej 20 milionë paundësh, i cili solli qindra kilogramë heroinë, kokainë dhe ketaminë të fshehura në kamionë nga Evropa në Mbretërinë e Bashkuar. Çifti do të dënohet javën e ardhshme, pasi rrjeti i tyre u shkatërrua nga oficerët e Agjencisë Kombëtare të Krimit, pas arrestimit të Burton nga policia spanjolle në klubin Pacha në Ibiza në gusht të vitit 2023.
