Avokati i njohur, Idajet Beqiri ka reaguar ekskluzivisht për gazetën “SOT” mbi financimin e fushatës së ish-kryeministrit Sali Berisha, duke hedhur dyshime serioze mbi burimin e parave që po përdoren nga kreu i PD. Sipas Beqirit, Berisha ka paguar plot 50 milion dollarë për strategun politik të Donald Trump, Chris LaCivita, i cili u prezantua së fundmi si “këshilltar” i Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit 2025.
Beqiri pretendon se LaCivita nuk ka asnjë lidhje zyrtare me Departamentin Amerikan të Shtetit, presidentin e SHBA apo Partinë Republikane dhe se ai ka ardhur në Shqipëri i paguar shtrenjtë nga Berisha. Ai thekson se milionat që i janë dhënë strategut amerikan janë para të pista të siguruara nga korrupsioni dhe financimet e dyshimta të biznesmenëve të lidhur me familjen Berisha. Avokati Beqiri në analizën e tij vë në dukje se kjo lëvizje synon të mashtrojë opinionin publik, duke paraqitur Berishën si të mbështetur nga SHBA.
