“Kush ha kumbulla, kujt i mpihen dhëmbët”/ PS e Durrësit përplaset me Ramën: Njerëzit po na përzënë

Data

Edi Rama kërkon tetë mandate më 11 maj nga Qarku i Durrësit, po aq sa mori në zgjedhjet e vitit 2021. Por, zhvillimet e ndodhura gjatë këtyre katër viteve në këtë qark, keqqeverisja e institucioneve vendore dhe qendrore, si dhe katapultimi në postet kyçe drejtuese të njerëzve që nuk kanë lidhje me Durrësin, kanë shkaktuar pakënaqësi në bazën socialiste.

Burime të Voxnews.al pohojnë se pakënaqësitë e bazës shpërthyen në fillim të kësaj jave, kur në një mbledhje të degës së partisë, ku merrte pjesë edhe vetë Edi Rama, drejtuesi i socialistëve në këtë qark i ka bërë të qartë se objektivi i vendosur prej tij për 8 mandate është i paarritshëm.

“Objektivi i vendosur prej jush në Durrës nuk arrihet, sepse ne po na përzënë, s’po na pranojnë”, mësohet se ka deklaruar në këtë mbledhje kreu i PS-së së Durrësit, Luan Zaza. Deklarata e tij shkaktoi kundër reagimin e Ramës, që i kërkoi shpjegime se përse nuk arrihet ky objektiv.

Por, kulmi i kundërshtimit ndaj kryesocialistit nuk ishte kjo deklaratë. Kulmi ishte fjala e një koordinatori të Partisë Socialiste me kontribut prej dy dekadash në radhët e partisë. Duke cituar një fjalim të ish-Presidentit të SHBA, Teodor Ruzvelt, ai i përcolli Edi Ramës me diplomaci shqetësimin e durrsakëve për katapultimin e njerëzve jashtë rrethit e qarkut në poste kyçe të administratës qendrore e vendore, koston e keqqeverisjes së të cilëve e paguajnë strukturat vendore të Partisë Socialiste.

“Ndërsa po prisnim të zije vend aty në skenë m’u kujtua pjesa The man in the Arena, “Njeriu në skenë” nga fjalimi “Citizenship in a Republic” i Teodor Ruzvelt, të cilën po e lexoj për të gjithë: Merita, i takon njeriut i cili është vërtetë në skenë, fytyra e të cilit është njollosur nga pluhuri, djersa dhe gjaku; ai që përpiqet me trimëri; i cili gabon; i cili dështon, sepse nuk ka përpjekje pa gabime dhe mangësi. Por, ai që në të vërtetë përpiqet në punën e tij, ai i cili njeh entuziazmin dhe përkushtimin, ai që rraskapitet për një kauzë të denjë, i cili në rastin më të mirë në fund vlerëson triumfin e arritjes dhe në rastin më të keq, në qoftë se dështon, të paktën dështon duke guxuar fort. Kështu që, vendi i tij nuk mund të jetë kurrë me ata njerëz indiferent dhe frikacakë, të cilët nuk e njohën kurrë as fitoren e as humbjen”, tha koordinatori socialist.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related