Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se në mandatin e tij të katërt do të përdorë Inteligjencën Artificiale për prokurime publike, me qëllim anashkalimin e dorës së njeriut dhe nevojës për të trajnuar stafin që të arrijë standard europian në këtë fushë. Por një përgjigje e Komisionit Europian për Faktoje tregon se shtetet kandidate për anëtarësim pritet të ndërtojnë njohuri dhe ekspertizë në këtë fushë dhe jo t’a “shkarkojnë” përgjegjësinë tek Inteligjenca Artificiale.
Akuza për shkelje të barazisë në tendera është një nga më të përsëriturat nga Prokuroria e Posaçme SPAK ndaj zyrtarëve shtetërorë dhe vendorë. Njëkohësisht, pas skandalit të koncesioneve për inceneratorin e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit, diskutimet për korrupsion qeveritar në proceset e prokurimeve janë në qendër të vëmendjes prej shumë kohe.
Duket se për të luftuar pikërisht këtë perceptim të korrupsionit të zyrtarëve në ministri dhe bashki duke keqpërdorur paratë e buxhetit të shtetit përmes prokurimeve korruptive, kryeministri Edi Rama njoftoi një “armë” të re, që sipas tij pamundëson korrupsionin në prokurime publike.
“[Ajo] që po bëjmë dhe që lidhet me një fazë të re të luftës kundër korrupsionit dhe përpjekjes për të rritur transparencën është një model inovativ me Inteligjencë Artificiale për të realizuar prokurimet publike. Me modelin e AI që po ndërtojmë unë besoj që në mandatin tonë të katërt, ne do të jemi vendi i parë që do të realizojë prokurime me 90% të procesit pa njeriun”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.
Është Inteligjenca Artificiale ajo që sipas Ramës, duke eleminuar “dorën” njerëzore në proceset e prokurimeve do të mundësojë drejtësi të një standardi europian. Kjo – theksoi kryeministri – do të evitojë edhe bezdinë e panevojshme që stafi i tij të trajnohet, të edukohet dhe të ndërtojë ekspertizë të nivelit europian.
