Kostandin Plaku është një 72-vjeçar nga Berati. Ai thotë se prej vitit 2005 nuk merr dot certifikatat e pronësisë së 4 objekteve që zotëron në zonën e Kalasë së Beratit. Kostandini thotë se në vitin 2005 një prej banesave të tij u dogj bashkë me dokumentet e pasurive dhe që nga ai vit, Kostandini nuk merr dot certifikatat.
“Kam lindur unë, im atë , gjyshi dhe stërgjyshi im në lagjen Kala të Beratit. Në vitet ’90 pa hyrë ’90 unë u arratisa. Nga mali kam ikur në Greqi. Disa më akuzonin që jo po la gruan, se aq dinin njerëzit. Kam jetuar për disa kohë në 5-6 kampe në Greqi sepse nuk dinim gjuhën pastaj filluam në zanatet tona. I kam bërë të tëra me dyer, dritare, saldime e të gjitha të tjerat. Dyqanin e ka privatizuar nusja ime siç u privatizuan shumë dyqane në të gjithë Shqipërinë në 1992. Dy objektet e tjera i kam blerë unë për shkak të parave të emigracionit. Nuk i hodha në ‘rrush e kumbulla’, në makina e në shejtan, por i hodha në banesa. Objekti numër katër është i trashëguar nga familja, me vulë e më të gjitha, janë të gjitha në hipotekë”, tha për mikrofonin e emisionit “Stop” denoncuesi.
Sipas të moshuarit persona që kanë lidhje me Kadastrën, i kanë propozuar që t’u japë një shtëpi, për të certifikuar të tjerat.
“Kur u ktheva nga emigracioni në vitin 2005 më ndodhi një fatkeqësi që m’u dogj total kapitali im. U dogjën një palë shtëpi, shteti nuk më ndihmoi. M’u dogjën dokumentet, kur m’u dogj shtëpia, por i ripërsëritëm. Unë po them vetëm një gjë Koço plaku këtij shteti i ka dhënë e nuk i ka marrë asgjë, i ka punësuar njerëz dhe nuk i ka marrë asnjë lekë. Nuk e kuptoj unë këtë, mua të më bëhen këto pengesa, është çmenduri. Doni tani që të ikim t’i shesim këto 3 objekte sepse kur dalin ata lepujt që thonë që për 24 orë t’i nxjerrim ne certifikatat. Shit një shtëpi që të nxjerr unë certifikatat. Do u them vetëm dy fjalë atyre që vijnë. Kanë ardhur shumë veta, ‘rri se e rregullojmë ne me dokumente’. Janë zyrtarë, ose të dërguar nga të tjerë”, thotë më tej denoncuesi.
Bashkë me 72-vjeçarin “Stop” shkon dhe sheh katër pasuritë e tij në zonën e Kalasë. Zëvendësdrejtori i Kadastrës Berat, Thanas Kace tregon rrugën e zgjidhjes, duke thënë se për rreth një muaj Kostandini do pajiset me certifikatat e pasurisë për të katër objektet e tij.
