Gjithnjë e më shumë njerëz në Serbi po kërkojnë ndryshime. Vuçiçi ka hedhur poshtë kërkesat për dorëheqje. Aktivistët po përgjohen me pajisje nga Zvicra.
Kriza politike në Serbi po thellohet. Të martën e kaluar kryeministri i Serbisë Millosh Vuçeviç dha dorëheqjen. Ndërsa në fudjavë janë mbledhur dhjetëra mijëra demonstrues në Novi Sad, për të shënuar tremujorin e vdekjes së 15 personave nga shembja e një kulmi në një stacion të trenit në këtë qytet.
Kryeministri dha dorëheqje pas protestave të shumta, por kjo nuk ka gjasa të kënaqë lëvizjen e protestës, studentët dhe qindra mijëra njerëz të tjerë që po protestojnë prej tre muajsh. Studentët dhe demonstruesit kërkojnë më shumë – ata kërkojnë reforma të thella dhe shpresojnë ndryshimin e politikës në Serbi, e cila është e afërt me Rusinë, shkruan Fabian Eberhard, kryeredaktor i edicionit javor të gazetës zvicerane Blik.
Përgjimet e regjimit të Vuçiçit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç është kapur pas pushtetit dhe po përdor metoda jashtëzakonisht të diskutueshme në përpjekje për të ndalur protestat dhe evituar rënien e tij. Në fund të vitit 2024, organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International dhe rrjeti investigativ BIRN njoftuan se qeveria e tij po monitoronte aktivistët dhe gazetarët. Sipas analizës së të dhënave, autoritetet serbe kanë instaluar ilegalisht spyware në dhjetëra telefona të kritikëve të regjimit, shkruan gazeta. Programet e vëzhgimit shkarkonin foto dhe mesazhe me tekst, dhe përgjonin mikrofonat e shikonin kamerat e kundërshtarëve të Vuçiçit.
