Që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës pothuajse tre vjet më parë, shtetet perëndimore e kanë akuzuar Kinën se po e furnizon Moskën me mikroçipa dhe teknologji tjetër kritike me përdorim të dyfishtë, që po “mundësojnë luftën brutale të agresionit të Rusisë”.
Në përgjigje, Uashingtoni dhe Brukseli kanë goditur qindra kompani dhe individë kinezë me sanksione në fushatën e presionit që synon të ndalë dërgesat e teknologjinë për makinerinë e luftës të Kremlinit.
Por, të paprekura nga sanksionet perëndimore janë dhjetëra kompani kineze që e furnizojnë Rusinë me galium, germanium dhe antimoni — elemente kyç që gjenden në dronët dhe raketat që Moska po përdor për të sulmuar Ukrainën.
Një hulumtim i kryer nga Schemes (Skemat), njësi hulumtuese e Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, gjeti se këto kompani kineze po furnizojnë industrinë ushtarake të Rusisë me këto materiale kritike, përfshirë edhe konglomeratin në pronësi shtetërore, Rostec, i cili thotë se ofron afër 80 për qind të armëve që Kremlini përdor në Ukrainë.
