Miliona euro nga taksat e shqiptarëve duket se po derdhen në xhepat e oligarkëve, ndërsa qytetarët mbeten pa ujë, pa rrugë dhe pa shërbime bazë. Në krye të kësaj skeme korruptive dyshohet se qëndron Klevis Jahaj, drejtori i AKUM dhe njeriu i besuar i Belinda Ballukut, i cili ka kthyer institucionin në një “bankë private” për biznesmenët e mëdhenj. Nga Dropulli në Lezhë, nga Saranda në Lalëz dhe Jalë, tenderat e ujësjellësve janë kthyer në një minierë floriri për të pasurit, kurse fshatrat dhe qytetet shqiptare vazhdojnë të vuajnë për ujë të pijshëm. Në fund të vitit 2024, Jahaj firmosi një tender prej 5 milionë eurosh për një ujësjellës në Dropull, por ende nuk dihet nëse banorët do të kenë ujë 24 orë apo vetëm disa orë në ditë.
Një tjetër procedurë skandaloze prej 6.2 milionë eurosh u dha për një fshat në Lezhë, ku investime të mëparshme kishin dështuar. Dhe ndërsa shqiptarët përballen me mungesën e ujit, AKUM nën drejtimin e Jahajt po financon rrjetet ujore të resorteve luksoze të “investitorëve strategjikë”, duke u shërbyer me paratë publike bizneseve private. Afera më flagrante është skema e tunelit të Llogarasë, ku tenderi prej 8 milionë eurosh për furnizimin me ujë të resorteve të Dhërmiut dhe Palasës u fitua nga e njëjta firmë që ndërtoi tunelin, raporton “VoxNews”. Por rasti i Jalës është edhe më i rëndë, teksa me fondet e taksapaguesve shqiptarë, AKUM po ndërton sistemin e kanalizimeve për biznesin privat të një oligarku
Dhe lista nuk ndalet këtu, pasi një tjetër tender prej 3 milionë eurosh për rrjetin e ujërave të zeza në Gjirin e Lalzit përfitohet nga një firmë që po ndërton aty një kompleks luksoz. Mirëpo përpara kësaj situate, me të drejtë ngrejmë disa pyetje: a është AKUM një institucion shtetëror apo një mjet për pasurimin e oligarkëve? Për sa kohë drejtuesit e tij do të përdorin paratë publike për interesat e të pasurve, ndërsa qytetarët paguajnë fatura gjithnjë e më të larta për shërbime që nuk marrin? Skandalet e Jahajt dhe Ballukut po dalin në dritë njëra pas tjetrës, por deri kur do të vazhdojë ky abuzim i hapur me fondet publike?
