Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) deklaroi pasditen e së Enjtes se aktiviteti i saj nuk cënohet nga Urdhëri Ekzekutiv i Presidentit Amerikan, Donald Trump, për pezullimin e përkohshëm të financimeve për misionet e ndryshme të asistencës në botë.
“Jemi informuar për Urdhrin Ekzekutiv të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të ndaluar implementimin e programeve të asistencës ndërkombëtare. SPAK është një institucion i pavarur, i cili mbështetet tërësisht në buxhetin e shtetit. Ligji 115 i vitit 2024 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor të Republikës së Shqipërisë” parashikon edhe buxhetin e miratuar për Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2025”, tha SPAK.
Në fakt, pezullimi i financimeve për asistencën ndërkombëtare, nuk cënon aktivitetin funksional të Prokurorisë së Posaçme, por “godet” drejtëpërdrejtë organizata vendase e ndërkombëtare, të cilat kishin qëllim kryesor shpërndarjen e propagandës euforike mbi “rezultatet e jashtëzakonshme të SPAK-ut”.
Urdhëri Ekzekutiv i Trump për pezullimin e financimeve për OJQ e organizma të tjera thuhet se do të zgjasë për një periudhë 3-mujore.
