Zv presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e ftuar në një emision televiziv tha se Partia e Lirisë ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e 11 majit. Xhixho theksoi se 50 përqind e kandidatëve për deputetë do të jenë gra. Ajo shtoi se PL ka 5 prioritete, që janë tepër të rëndësishme për shpëtimin e Shqipërisë.
Më tej, Xhixho u shpreh se presidenti i Partisë së Lirisë është në izolim politik. Sipas saj, izolimi i Metës bëhet për efekt elektoral. Xhixho deklaroi se mesazhi i Metës nga qelia është që puna në Partinë e Lirisë të shumëfishohet, që opozita e bashkuar të fitojë zgjedhjet.
“Primaret janë një proces i Partisë Demokratike dhe është e drejtë e PD që të zhvillojnë një proces demokratik. Ky proces i shërben demokracisë. Partia e Lirisë ka qenë gjithmonë transparente për kandidatët për deputetë. Kandidatët vijnë pas një konsultimi me bazën e partisë, 50 përqind janë gra dhe 30 përqind janë të rinj. PL ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e 11 majit. Programi ynë ka 5 prioritete kyçe për Shqipërinë. Ne kemi pasur takime dhe konferenca në mbarë vendin, kemi qenë në Elbasan, Skrapar, Tiranë. Të shtunën kemi Konventën e Tiranës. Partia e Lirisë punon gjatë gjithë kohës. Presidenti i PL Ilir Meta është në izolim politik. Izolimi politik i Metës është kthyer në forcë, për të punuar edhe më shumë. Izolimi i Metës u bë për efekt elektoral. Programi ynë përfshin çështje konkrete, duke marrë shembuj nga vendet të zhvilluara europiane. Programi i PL iu jep zgjidhje reale problemeve të qytetarëve. Gjithë drejtuesit e Partisë së Lirisë janë në komunikim të vazhdueshëm me z Meta. Kërkohet shumëfishim i punës sonë dhe të bëjmë më tepër për të përçuar programin tonë me 5 prioritete. PS po shfrytëzon burimet shtetërore për të fituar votën e diasporës”, tha Xhixho.
