Në korrik të vitit të kaluar, Komiteti i Investimeve Strategjike miratoi statusin e investimit strategjik për një projekt që parashikon ndërtimin e një vreshti, kantine dhe agroturizmi në fshatrat Baqel dhe Kodhel të Lezhës. Sipas vendimit, projekti do të zhvillohet në një sipërfaqe prej 137.2 hektarësh, e gjitha tokë shtetërore. Me miratimin e statusit, Komiteti i Investimeve, i kryesuar nga Edi Rama ja fali këtë sipërfaqe toke shtetërore kompanisë që qëndronte pas projektit. Por cila është ajo?

X One është një kompani e themeluar në maj të vitit 2021 me një kapital prej vetëm 10 mijë eurosh. Kompania zotërohet nga tre aksionerë. Ata janë Ylli Ujka, çesk Ivanaj dhe Ilir Trebicka. Dy aksionerët e parë zotërojnë nga 37 për qind të aksioneve, ndërsa Ilir Trebicka ka 26 për qind të kuotave të kompanisë.
Ylli Ujka është një biznesmen nga Lezhë, i cili ka emigruar në Itali me eksodin e madh të viteve 90′. Që prej asaj kohe, ai ka jetuar në Itali me familjen e tij. Por së fundmi, emri i biznesmenit ka filluar të përmendet shpesh në rrethin pranë Edi Ramës.
