Pasi kreu i KQZ Ilirjan Celibashi njoftoi dakordësinë me PD e PS për të ndryshuar Kodin Zgjedhor në 3 pika që lidhen me votën e diasporës, demokratët kanë bërë disa propozime shtesë. PD kërkon një ndryshim të vlefshëm vetëm për zgjedhjet e 11 majit, përmes një dispozite tranzitore, që lidhet me mundësinë e emigrantëve, për të votuar edhe me ID ose Pasaporta të huaja.
Por jo vetëm kaq. Zgjatja e afatit të përdorimit të ID të skaduara, PD kërkon të caktohet në Kod dhe jo me akt normativ të qeverisë, sikurse një ditë më parë kërkoi kreu i KQZ Ilirjan Celibashi. “Dispozitë tranzitore “1.
Vetëm për zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2025, dokumente të vlefshme identifikimi, me qëllim mundësimin për të votuar, zgjedhësve brenda dhe jashtë vendit, do të konsiderohen: a) Pasaportë ose letënjoftim/ kartë identiteti biometrik, brenda afatit të vlefshmërisë, të lëshuar nga Republika e Shqipërisë, b) Pasaportë ose letërnjoftim/ kartë identiteti biometrik, pavarësisht afatit të vlefshmërisë, të lëshuar nga Republika e Shqipërisë, c) Pasaportë ose letërnjoftim/ kartë identiteti biometrik, brenda afatit të vlefshmërisë të lëshuar nga vendet e Bashkimit Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe çdo vend tjetër”-thuhet në propozimin e depozituar zyrtarisht në Kuvend këtë të martë dhe i firmosur nga 11 deputetë të PD, mes të cilëve edhe vetë Sali Berisha.
