Dje është përkujtuar 14 vjetori i 4 viktimave nga protesta e 21 janarit 2011, e thirrur në atë kohë nga Partia Socialiste në opozitë, pas video-skandalit ku shfaqej Ilir Meta, zv/kryeministër në atë kohë, me një bllok të zi në dorë. Po çfarë po ndodh me hetimet për vrasjet e 21 janarit? Tashmë hetimet janë në dorën e SPAK pas vendimit nga Gjykata e Lartë që i caktoi Prokurorisë Speciale kompetencën për të kryer hetimet mbi atë që konsiderohet prej vitesh si krim shtetëror.
Në emisionin “Studio Live” në Report TV, ish-prokurori Ervin Karanxha, pjesë e grupit hetimor që ka kryer veprime menjëherë pas vrasjes së 4 protestuesve Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj, theksoi je se në atë kohë prokurorët e Tiranës kanë kryer me përpikëri të gjitha detyrat e saj. Karanxha ngriti disa çështje juridiko-ligjore që janë bërë shkak edhe për zvarritjen e hetimeve dhe që kjo ngjarje e rëndë e cilësuar si krim shtetëror publikisht, nuk ka ende përfundim procedurial dhe as autorë të dënuar në themel.
Ish-prokurori mendon se gabimi është kryer nga Prokuroria e Përgjithshme që në atë kohë, e cila kishte kompetencat për zyrtarët e lartë, siç i ka SPAK-u sot dhe Gjykata e Lartë në vendimin e saj e ka të shpallur tekstualisht se hetimet duhet të ishin bërë që në atë kohë nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm. “Kjo nuk u bë, sepse Prokuroria e Tiranës nuk kishte kompetencë, ndaj topi ka mbetur te Prokuroria. Nuk u bënë veprime. Prokuroria e Përgjithshme duhet të kishte thirrur zyrtarët e lartë, përfshi edhe kryeministrin, e kishte për kompetencë”, shprehet Karanxha.
