Pothuajse të gjithë njerëzit kanë kaluar sëmundjen e infeksioneve në bajame një herë në jetë. Bajamet janë pjesë bazë e sistemit tonë imunitar e funksioni kryesor i tyre është filtrimi nga bakteret dhe çdo organizëm tjetër që mund të shkaktojë infeksione. Por ndodh që bajamet mund të vuajnë një infeksion i cili çon në inflamacion. Tonsiliti është inflamacion i bajameve apo i grykëve. Shenjat dhe simptomat përfshijnë bajamet e fryra, dhimbjen e fytit, vështirësi në gëlltitje dhe inflamacion të nyjeve limfatike në anët e qafës. Po kush preket më shumë nga ky infeksion? Si të dallojmë menjëherë bajamet e infektuara tek fëmijët, por dhe të rriturit? Cilët janë shkaktarët e tyre dhe si mund t’i kurojmë në mënyrë natyrale? Flasim në studion e Rreze Dielli, në “Bima dhe Shëndeti” me biofarmacistin Ylli Merja, i cili do të na tregojë kurat më efikase me bimë mjekësore, por dhe metoda natyrale për trajtimin e bajameve të infektuara.
“Shkaqet kryesore të Inflamacionit të bajameve janë infeksionet virale si viruset e gripit, adenoviruset, sinoviruset; të ftohtit e zakonshëm, infeksionet bakteriale, streptokoku i grupit A, streptokoku hemolatik, streptokoku piogjen, pneumokoku, por dhe faktorë të tjerë si ekspozimi ndaj ndotësve ose alergeneve”, thekson Ylli Merja në fillim të bisedës.
Por çfarë janë bajamet në të vërtetë dhe cili është roli i tyre në organizëm?
Bajamet jane dy gjendra të vogla, janë pjesë e sistemit limfatik që ndodhen në pjesën e hyrjes së fytit. Janë plot me enë gjaku që qarkullojnë aty dhe funksioni i tyre është të kapin dhe të asgjesojnë viruset dhe bakteret që hyjnë në organizëm. Pra nëse e heqim ne këtë portë mbrojtje, mund të themi se kemi një kala pa portë”, shprehet Merja.
