Regjimi autoritar i Aleksandër Vuçiçit nuk po arrin t’i japë fund protestave studentore që kanë më shumë se një muaj, por edhe protestat po hyjnë në një rutinë që nuk jep rezultate konkrete. Beteja e shkatërrimit vazhdon. Kuptohet, tani është një status quo, asnjëra palë nuk ka avantazh në këtë moment, veçanërisht pasi regjimi është tërhequr disi dhe, nga pasiviteti, ka vendosur të ndjekë studentët në përpjekje për t’i skualifikuar, përçarë dhe lodhur ata. As Vuçiç nuk mund t’i ndalë protestat dhe as studentët, tani për tani, nuk mund ta rrëzojnë. Ndaj, tani Serbia është para një pike kthese: represioni, skualifikimet dhe dhuna që ushtron regjimi ndaj studentëve, a mund t’i thyejë protestat?
Rrëzimi i Vuçiçit
Në Beograd thuhet se BIA, shërbimi i tij i sigurimit dhe inteligjencës, dyshohet se ka bërë një projeksion për Vuçiçin se ai mund të “rrëzohet në gjashtë muaj” nëse ai nuk bën diçka. Duhet pranuar se sjellja e dhunshme e regjimit është më shumë shenjë nervozizmi dhe dobësie sesa fuqie dhe vendosmërie. Deri më tani nuk dihet se cila është forca dhe fuqia reale politike e studentëve, çfarë duan realisht, cilat janë synimet e tyre reale. A do të ishin të kënaqur me përmbushjen e kërkesave të tyre, të ndëshkohen përgjegjësit për tragjedinë në stacionin e Novi Sadit, kur 15 persona vdiqën nga shembja e tendës, apo do të kërkojnë ndryshimin e regjimit, sepse është evidente se kjo tragjedi e tmerrshme ishte një rast për të shprehur pakënaqësinë e akumuluar ndaj pushtetit autoritar, korruptiv dhe partiak të Vuçiçit në 12 vitet e fundit?
Kërcënimi ndaj studentëve
“Ne nuk kemi ngritur shkop kundër askujt dhe do të zbatojmë masa të shtrëngimit shtetëror vetëm nëse duhet dhe nëse jemi të detyruar ta bëjmë këtë”, tha Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke komentuar protestat dhe bllokadat e studentëve, duke pretenduar se “të gjitha kërkesat e studentëve janë plotësuar”, por se “nuk është më temë dhe askush nuk e përmend” sepse “kanë axhendë politike”. Ai pyeti veten se çfarë ndodhi me njerëzit që nuk i miratuan protestat dhe bllokadat e studentëve. “Tani nuk ka dyshim për këtë, do të presim deri në momentin e fundit kur do të detyrohemi të përgjigjemi, kur të fillojnë të bllokojnë me dhunë autostradat dhe gjithçka tjetër… Agjentët e huaj, me ndërmjetësuesit e tyre, tashmë u kanë thënë të dalin dhe bllokojnë gjashtë korsi në Autokomandë, për të vendosur çadra, bllokada”, tha Vuçiç.
