Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, ka zhvilluar një vizitë të rëndësishme në Kiev, ku është takuar me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe figura të tjera të larta të shtetit ukrainas.
Gjatë takimeve, është theksuar progresi në forcimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Ukrainës. Hasani njoftoi ratifikimin e Marrëveshjes së Miqësisë dhe Bashkëpunimit midis dy vendeve dhe nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi për bashkëpunimin në procesin e integrimit evropian.
Ministri ka vlerësuar këto hapa si një dëshmi të angazhimit të Shqipërisë për një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm me Ukrainën, duke theksuar mbështetjen e vendosur për përpjekjet e saj drejt paqes, sigurisë dhe integrimit në familjen evropiane.
