Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Z.Agron Duka, në një intervistë për gazetën “SOT” flet për vendimin e tij për të mos kandiduar më për deputet, por për të qenë ende në politikën aktive. Ai bën thirrje për bashkimin e partive opozitare, që të mos copëzohet vota opozitare, si garanci për të realizuar rrotacionin politik. Ai flet gjithashtu për rëndësinë që ka mbështetja e bujqësisë si sektori më kontribuues për ekonominë kombëtare, pasi sipas tij, fshatrat po braktisën dhe toka po mbetet djerrë, ndërsa tregu mbushet nga prodhimet e importit.
– Zoti Duka, keni paralajmëruar se nuk do të kandidoni për deputet në zgjedhjet e 11 majit. Cilat janë arsyet kryesore që ju shtynë të merrni këtë vendim dhe si e shihni rolin tuaj në politikën e ardhshme?
Po, është e vërtetë. Unë e kisha deklaruar edhe më herët qëndrimin tim për të mos qenë më në listat e kandidatëve për deputet dhe tashmë këtë e bëra edhe zyrtare. Arsyeja është shumë e thjeshtë: Në PAA ka burra e gra, të rinj e të reja të aftë dhe me energji të reja që duan të kontribuojnë. Unë mendoj se është koha që t’i jap mundësinë një tjetri për të qenë në vendin tim në Parlament, nëse ne do të përfaqësohemi. Sepse unë s’e kisha marrë me tapi karrigen e deputetit. Por kjo nuk nënkupton tërheqjen time nga angazhimet politike. Unë jam në krye të PAA-së dhe do të punoj për kauzat që ajo përfaqëson dhe mbron.
