Ish-kryebashkiakja e Patosit dënohet me 2 vite burg, por nuk do qëndrojë asnjë ditë në qeli

Data

Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtore ish-kryetaren e Bashkisë së Patosit, Rajmonda Balilaj për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, duke e dënuar me 2 vite burgim.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi ish-kryebashkiakes së Patosit i është ulur në 1 vit e 4 muaj burgim,, por sërish ajo nuk do të qëndrojë asnjë ditë në qeli. Kjo për faktin se GJKKO ia ka konvertuar dënimin me burg në shërbim prove për një periudhë prej 2 vitesh e 8 muajsh me kusht që ajo gjatë periudhës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.

Rajmonda Balilaj, e cila ka qenë për tre mandate kryebashkiake, akuzohej së bashku 3 ish-zyrtarëve të Bashkisë së Patosit për abuzime me dy tendera, me vlerë totale mbi 15 milionë lekë të reja, duke favorizuar kompaninë “Genti 001”.

Tenderat konsistonin në ngritjen e mureve në aksin rrugor Dukas-Breg dhe në rrugën e fshatit Rruzhdie. Sipas SPAK, kryebashkiakja Rajmonda Balilaj ka ndërmarrë një sërë veprime të paligjshme, për shkak se fituesi i tenderave ishte i paracaktuar.

E akuzuar për këtë çështje ka qenë dhe ish-nënkryetarja e Bashkisë së Patosit, Anisa Petani, e cila ka qenë anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Ajo është dënuar me 1 vit burgim për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim. Gjithsesi, as ajo nuk do të shkojë në qeli, pasi i është konvertuar dënimi me burg në 2 vite shërbim prove.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related