Partia Demokratike ka denoncuar se pagesat më të larta të buxhetit për vitin 2024 shkuan për koncesionet, si edhe u shpërndanë nëpër institucione për udhëtime e karburant.
Zëdhënësja e antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli ka bërë publike të dhënat zyrtare të shpenzimeve regjistruar në thesarin e shtetit për vitin 2024, ndarë sipas institucioneve.
“Qeverisja vendore, në 61 bashkitë në vend për 2024 u shpenzuan gjithsej 771.5 mil euro në total”, tha Vangjeli.
Vangjeli thekson në deklaratën e saj për mediat se “në 2024 vijuan kontratat e klasifikuara ku përmendim atë me vlerën më të lartë lidhur nga Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike me (foto 20) ku vetëm vlera e një fature pjesore të saj ishte 15 mil euro, vlera totale e saj mbetet enigmë”.
