Programi i zhvillimit të pronave publike hyn tashmë në një fazë të re, me projekte transformuese të vizionit për Shqipërinë europiane 2030.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me përfaqësues të sipërmarrjes dhe sektorit bankar, me prezencën e përfaqësuesve të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, për prezantimin e kësaj faze zhvillimi, në funksion të përmirësimit të kushteve të administratës shtetërore, lidhur me hapësirat e punës dhe po ashtu në funksion të krijimit të partneriteteve me sipërmarrjen private për të ndërtuar vepra të reja të infrastrukturës publike, turistike, kulturore e sociale, duke u bazuar në praktikat më të mira europiane dhe në bashkëpunim me institucione simotra në Europë të Korporatës Shqiptare të Investimeve.
“Sot prezantojmë një fazë të re të programit tonë të zhvillimit të pronave publike në funksion të përmirësimit të kushteve të administratës shtetërore, lidhur me hapësirat e punës dhe po ashtu në funksion të krijimit të partneriteteve, të cilat do të japin mundësi që nga zhvillimi i pronave publike të përfitojë drejtpërdrejtë financiarisht edhe sektori publik.
Besoj që të gjithë i keni parasysh ende sot e gjithë ditën, skelete fabrikash apo ndërmarrjesh të vjetra që vijojnë të cenojnë peizazhin tonë dhe janë shëmbëlltyra të proceseve të shkuara të privatizimeve, të cilat në një pjesë të konsiderueshme nuk kanë sjellë asnjë rezultat tjetër, përveç degradimit të mëtejshëm të këtyre aseteve.
Ndërkohë që, ne jemi sot këtu për të ndarë me ju një qasje tërësisht tjetër të bazuar në eksperiencat dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, nisur posaçërisht nga eksperiencat e Italisë dhe të Spanjës, të cilat prej shumë e shumë vitesh kanë ngritur struktura të ngjashme me strukturën e Korporatës Shqiptare të Investimeve ose siç e quajmë edhe ligjërisht Albanian Investment Coorporation, struktura që janë pikërisht në dispozicion të sektorit publik dhe shërbejnë si ura shumë të fuqishme për ndërveprime dhe bashkëpunime komplekse me sektorin privat.
Faktikisht, sot ne jemi këtu për të prezantuar disa projekte të para që janë rezultat i konkurseve ndërkombëtare, projekte që lidhen me zhvillime të përbashkëta me sipërmarrjen. Natyrisht që do të vendosen përmes garave të hapura dhe që synojnë nga njëra anë, t’i vënë në dispozicion shtetit hapësira të reja, hapësira me standarde europiane për aktivitetin e administratës publike dhe nga ana tjetër, t’i japin mundësi sipërmarrjes që në këmbim të bëjë biznes, duke hyrë në një marrëdhënie me shtetin, të njëjtë si marrëdhënia e përditshme e sipërmarrjes në fushën e ndërtimit me pronarët privatë.
