Nasip Naço sqaron ndryshimet që do t’i bëhen ligjit për të drejtat e të burgosurve, ja çfarë përmban propozimi për…

Data

Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, njëherësh deputeti i Partisë Socialiste, Nasip Naço foli dje për projektligjin e paraqitur prej tij që lehtëson kushtet e izolimit të të dënuarve. Në një intervistë televizive, Naço sqaroi risitë që synon të sjellë ky projektligj, i cili është hedhur për konsultim. Naço solli në vëmendje se aktualisht raporti mes të dënuarve dhe policëve në Shqipëri është 1 me 1, gjë që sipas tij, sjell kosto të lartë për buxhetin e shtetit. Nisma e hedhur për konsultim, sipas Naços, synon uljen e kostos për një të dënuar. “Nga të dhënat dhe statistikat ne sot kemi gjithsej 700 të dënuar për vrasje dhe 1500 të dënuar për vepra të tjera penale. 500 të dënuar janë në burgun e Sigurisë së Lartë, ndërsa pjesa tjetër ka një perimetër sigurie të lartë. Në ligjin aktual ne kemi burgje të sigurisë së lartë, të zakonshme, të sigurisë së ulët dhe burgje të hapura”, theksoi Naço.

Shembuj

Më tej deputeti socialist, Nasip Naço theksoi se nisma ligjore e propozuar prej tij bazohet në modelet e ndjekura në vende si Anglia, Italia, Holanda, Mali i Zi, etj. “Anglia për vepra të lehta penale kur i ka ngelur 3 vjet një të dënuari mund ta kalojë te burgu i hapur apo të ketë një kontratë pune. Pra me perimetër sigurie minimal dhe nuk mbyllet në qelinë e burgut”, tha Naço. Ndryshimet e propozuara, sipas tij, krijojnë mundësinë që të kemi 1 polic për 30 apo 60 të dënuar, pasi kostoja aktuale është shumë e lartë.

“Propozoj që nëse janë te burgu i sigurisë së zakonshme dhe nëse kanë bërë 2/3 e dënimit, komisioni i vlerësimit i kalon në një shkallë më poshtë te burgu i ulët dhe që këtu kalojnë te burgu i hapur”, shtoi Naço. Projektligji i propozuar nga deputeti i Partisë Socialiste, njëherazi kryetar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, ka 5 nene, ku neni i fundit parashikon hyrjen në fuqi të tij. Qëllimi i pr/ligjit mes të tjerave është nxitja e riintegrimit të të dënuarve përmes punësimit, apo trajtimit të tij nga institucione të ekzekutime e penale të sigurisë së ulët apo me mbikëqyrje. Gjithashtu, projektligji synon të rrisë efikasitetin e procesit, duke e bërë atë më të shpejtë dhe më pak të ngarkuar për gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm. Ky ndryshim është i rëndësishëm për të adresuar sfidat e menaxhimit të të dënuarve, mbipopullimin dhe për të përmirësuar efikasitetin e sistemit të burgjeve, pa cenuar të drejtat e palëve.

Çfarë ka ndodhur?

Kujtojmë se kohët e fundit është bërë funksional “Burgu i natës” si shlyerje e dënimit në mënyrë alternative. Përmes një shkrese ditë më parë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi të gjitha gjykatat në vend, prokurorin e përgjithshëm dhe kryeprokurorin e SPAK, se është bërë funksional burgu i hapur në Tiranë. Shkresa mban datën 30 gusht 2024 dhe iu shpërnda 23 institucioneve të drejtësisë, përfshi të gjitha gjykatat e të dyja shkallëve, KLGJ dhe KLP si edhe shefes së ekzekutimeve të vendimeve penale për t’u treguar adresën e burgut të hapur. Burgu i hapur gjendet në ish-burgun e grave në zonën e “Ali Demit”.

Kategoria e të burgosurve që mund të fitojë burgosjen gjatë natës dhe ditën të jetë i lirë janë shtetasit që u ka mbetur më pak se 6 muaj dënim për vepra të lehta dhe me kushtin që komisioni penitenciar ta vlerësojë të parrezikshëm, si edhe kushdo që gjatë gjykimit është dënuar me gjysmë liri. Kjo s’do të thotë se burgu nuk ka gardianë. Përkundrazi rojet e burgut qëndrojnë në detyrë me turne si kolegët e tyre në çdo burg. I dënuari hyn në orën 17:00, qëndron gjatë natës dhe del herët në mëngjes. Në pesë vjet, në të gjithë vendin gjysmë liria është aplikuar vetëm për 97 persona, një shifër kjo e argumentuar e përfillshim për shkak të mungesës të një burgu të hapur.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related