Të ardhurat tatimore bien për herë të parë në 4 vjet, bizneset po fitojnë më pak

Data

Grumbullimi i të ardhurave buxhetore pati një ecuri pozitive përgjatë vitit 2024. Në të gjithë periudhën 11 mujore 2024 të ardhurat nga tatimet dhe doganat u rriten me 10.3% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2023, por në nëntor arkëtimet morën një kthesë negative ku të ardhurat tatimore shënuan rënie vjetore me -1.5%.

Kjo është hera e parë që të ardhurat tatimore janë me rënie me bazë vjetore, nga janari i vitit 2021, kur vendi akoma po vuante pasojat e pandemisë.

Në total të ardhurat buxhetore janë rritur me 2.7 për qind në nëntor, por hendeku i krijuar nga rënia e arkëtimeve nga tatimet dhe taksat u mbulua nga të ardhurat nga ndihmat (kredi dhe donacione të huaja me destinacion buxhetin e shtetit).

Të dhëna më të detajuara nga treguesit fiskal të Ministrisë së Financave tregojnë se rënia u shkaktua nga dobësitë në të ardhurat nga tatimi mbi fitimin dhe nga taksat lokale. Në nëntor 2024 të ardhurat nga Tatim Fitimi ishin gati 55% më të ulëta se një vit më parë. Në nëntor u arkëtuan në këtë zë 4,1 miliardë lekë nga 9,1 miliardë në nëntor 2023.

Të ardhurat më të ulëta nga Tatimi mbi Fitimin vijnë si rrjedhojë e përfundimit të efektit të tatimit të jashtëzakonshëm mbi fitimet e prodhuesve të energjisë. Kjo masë ka qenë e pranishme me ndikimin e saj në të gjithë vitin 2024 por në nëntor të ardhurat buxhetore janë ndikuar negativisht nga të ardhurat më të ulëta nga taksa doganore dhe taksat lokale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related