Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar nga qelia për marrjen në pyetje nga SPAK lidhur me çështjen e lobimit të LSI-së në SHBA.
Në një postim në Facebook, Meta deklaroi se gjatë procesit ai i ka pyetur prokurorët mbi ecurinë e hetimeve për inceneratorët dhe ka paraqitur dokumente që, sipas tij, implikojnë kryeministrin Edi Rama dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi.
Meta e përshkroi procesin si një “seancë pyetjesh reciproke”, duke ironizuar dinamikën e marrjes në pyetje. Ai pretendon se ka paraqitur tre fakte kryesore që, sipas tij, tregojnë shkelje ligjore:
- Firmosja e bonusit prej 8% nga Edi Rama për kompaninë Integrated Energy BV sh.p.k për inceneratorin e Tiranës, një kompani që Meta thotë se “nuk ekzistonte” në momentin e firmosjes.
- Firmosja e kontratës koncesionare për inceneratorin e Elbasanit nga Rama, pavarësisht paralajmërimit nga Drejtori i Agjencisë së Prokurimeve Publike se procedura ishte e paligjshme.
- Vendimi i Erion Veliajt për inceneratorin e Tiranës, të cilin Meta e akuzon për shkelje të ligjit dhe shmangie të vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak.
Meta gjithashtu akuzoi SPAK-un dhe mediat që i mbështesin hetimet për të shpërfillur çështjen e inceneratorëve, të cilën ai e cilëson si një mega-aferë korrupsioni që vazhdon të dëmtojë financat publike.
Ai përfundoi duke nënvizuar se dokumentet e paraqitura janë “me firmë dhe vulë”, duke kërkuar një reagim konkret nga SPAK mbi çështjen.
