Në një tjetër shenjë të transformimit të Partisë Socialiste nën udhëheqjen e Edi Ramës, procesi i spastrimit të figurave historike dhe veteranëve të saj duket se ka hyrë në një fazë të re. Ditën e djeshme kryeministri Rama mblodhi në selinë rozë drejtuesit politikë të qarqeve të PS, ku në fokus të takimit ishin zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjithashtu në mbledhjen e Kryesisë u vendos gjithashtu që Eduard Shalësi (anëtar i sektit të Rilindjes) të caktohet drejtues politik në Kukës, duke zëvendësuar kështu Pandeli Majkon. Ndërsa drejtuesi aktual i këtij qarku, Pandeli Majko, do të vijë në Tiranë dhe do t’i caktohet një zonë elektorale, ashtu si në rastin e Blendi Gonxhes të cilit iu caktua zona e Kombinatit.
Prapaskenat
Por vendimi për të larguar Pandeli Majkon si drejtues politik i qarkut Kukës dhe zëvendësimi i tij me Eduard Shalësin nuk është thjesht një ndryshim teknik, pasi ai simbolizon një prirje të qartë të Ramës për të larguar socialistët e vjetër dhe për të mbushur radhët e partisë me figura të reja, shpesh të lidhura me interesa të jashtme dhe rrjetet që Rama favorizon, siç është ndikimi i George Soros. Kjo prirje nuk është e re. Prej disa vitesh, socialistët e vjetër, ata që ndërtuan partinë dhe që kanë pasur një identitet të fortë ideologjik, janë sistematikisht zëvendësuar ose margjinalizuar. Figura si Pandeli Majko, Gramoz Ruçi, Fatos Nano, Samir Tahiri, Arben Ahmetaj, etj, janë zhvendosur nga vendimmarrja qendrore, ndërsa kryeministri Rama ka promovuar figura, kryesisht sorosianë, siç janë aktualisht shumica e zyrtarëve të lartë në PS, të cilët i shërbejnë pa kushte vizionit të tij personal për partinë. Në këtë proces, rolin e saj e ka luajtur dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku, e cila ka arritur të konsolidojë një rrjet të fortë ndikimi brenda partisë, qeverisë dhe pushtetit vendor. Me mbështetjen e Ramës, Balluku ka futur njerëzit e saj në pozicione kyçe, duke e kthyer Partinë Socialiste në një arenë ku interesat personale dhe lojaliteti ndaj liderit zëvendësojnë meritokracinë dhe përfaqësimin ideologjik.
Detaje nga mbledhja e Kryesisë
Ndërkohë mbledhja e djeshme e drejtuesve politikë të qarqeve në selinë rozë tregoi gjithashtu se Rama po përgatit partinë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare me një strategji të bazuar te votat e diasporës. Duke kërkuar krijimin e një database me kontaktet e emigrantëve, Rama synon maksimizimin e votës së tyre në favor të mazhorancës, një taktikë që shihet si përpjekje për të kompensuar rënien e mbështetjes brenda vendit. Ndërsa Rama dhe ekipi i tij flasin për “modernizimin” e partisë, realiteti është se Partia Socialiste po shkon drejt një transformimi ku idealet socialiste po zëvendësohen me një model të centralizuar të kontrollit absolut. Veteranët, që dikur ishin shtylla kurrizore e partisë, janë margjinalizuar, dhe në vend të tyre po ngrihen figura pa histori politike (sorosianë e rilindas), por me një lojalitet të pakushtëzuar ndaj kryeministrit dhe klaneve të tij.
