Çmimi i paketave të cigareve do të pësojë një tjetër rritje në janar, pas shtrenjtimit në muajin dhjetor të vitit që lamë pas. Dhe kjo për shkak të akcizës, një taksë që rritet çdo vit.
Kështu, për çdo paketë të blerë në këtë fillimviti shqiptarët do të paguajnë nga 20 deri në 30 lekë më tepër. Nëse një paketë e keni blerë për 250 lekë, tashmë ajo do të kushtojë 270 lekë. Nga 7,250 lekë për çdo 1,000 fije cigare që ishte, çmimi rritet në 7,500 lekë. Rritja nuk aplikohet vetëm për duhanin, por edhe produktet alternative apo cigaret elektronike dhe ato me djegie.
Qeveria synon që nëpërmjet rritjes së çmimit të cigareve të ulë konsumin, duke mbrojtur shëndetin. Po a do të bëjnë çmimet më të shtrenjta që shqiptarët të tymosin më pak?! Përvoja e viteve të kaluara ka dëshmuar të kundërtën
SHKAQET
Ekspertët thonë se kjo rritje është e përvitshme, me qëllimin uljen e numrit të duhanpirësve.
“Akciza vendoset për të frenuar ato që sjellin eksenalitete negative, ato produkte që dëmtojnë shëndetin. Tendenca për rritje është një realitet në çdo vend të botës, sepse duke dëmtuar shëndetin, duke rritur kostot, synohet që qytetarët të heqin dorë nga konsumi. Nga viti në vit do të shohim një rritje edhe më të madhe”, thotë Klodian Muça, ekspert ekonomie.
Të ardhurat që vijnë nga duhani janë të dytat në radhë pas atyre që vijnë nga nafta. Për vitin 2023, janë mbledhur 280 milionë euro. Megjithatë, kjo shumë mendohet të jetë më e lartë, pasi 25% është tregti e paligjshme dhe kontrabandë.
“Shqipëria ka arritur që 70% e çmimit të paketës të përbëhet nga taksat e duhanit. Shqipëria ka një treg të paligjshëm që shkakton humbje të mëdha në buxhetin e shtetit. Studimet tregojnë se është më e lartë, kështu që, sidoqoftë, është një rritje e konsiderueshme dhe taksë që nuk shkon në buxhetin e shtetit. Kemi xhepa që këto taksa nuk i mbrojnë, por dëmtojnë shëndetin”, shprehet Roland Shuperka, ekspert i Kontrollit të Cilësisë së Duhanit.
