Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është paraqitur në SPAK fiks në orën 10:00, për të zbatuar masën “detyrim paraqitje” të caktuar më 3 Janar nga Gjykata e Posaçme e Apelit.
Berisha ka qenë i shoqëruar nga avokati i tij, Genc Gjokutaj. Qëndrimi i tij në SPAK nuk ka zgjatur as 1 minutë, teksa është paraqitur para oficeres së Policisë Gjyqësore, Adelajda Meta.
Sipas vendimit të marrë nga gjyqtari i Apelit, Engert Pëllumbi, Berisha duhet të paraqitet në SPAK, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji në lidhje me dosjen për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Lideri i opozitës është pritur para godinës së SPAK nga mbështetësit e tij nën brohorimat “Sali Berisha” apo “Poshtë Diktatura”, teksa të pranishëm kanë qenë dhe disa prej deputetëve dhe zyrtarëve të PD-së.
Kujtojmë se vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit për t’i caktuar Berishës “detyrim paraqitje” u mor pas shqyrtimit të ankimimit të bërë nga dy prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, të cilët kërkonin rikthimin e “arrestit në shtëpi” për liderin demokrat. Gjyqtari i Apelit nuk pranoi kërkesën e SPAK, por gjithashtu prishi edhe vendimin e GJKKO-së të marrë nga gjyqtarja Flojera Davidhi më 27 Nëntor, e cila i revokoi të gjitha masat e sigurisë ndaj Berishës.
