Tirana është i vetmi qark në vend që njohu një rritje të lehtë të popullsisë me 1.2%, ndërmjet 2011 dhe 2023, por nga ana tjetër ka pësuar rënie të mprehtë të popullsisë së re në moshë 15-19 vjeç.
Sipas të dhënave nga Cens 2023 qarku i Tiranës kishte 158,288 persona të moshës 15-29 vjeç, nga 202 mijë që ishin në vitin 2011 me rënie gati 22 %.
Rritja e popullsisë së përgjithshme dhe rënia e mprehtë e të rinjve tregon për një ndryshim të strukturës së popullsisë në favor të plakjes së popullsisë. Ky tregues është një sinjal i fortë për trendët e konsumit të qarkut më të rëndësishëm në vend.
Për dekada me radhë Tirana është qarku që ka shërbyer si qendër graviteti për të rinjtë e të gjithë vendit, për shkak se ka korpusin universitar publik më të madhin në vend.
Të rinjtë që vijnë për studime në Tiranë zakonisht zgjedhin të mos kthehen më në vendet e origjinës dhe të bëhen banorë të Tiranës dhe të jenë konsumatorët më të mëdhenj të banesave të reja.
Po gjatë dekadës së fundit kostot e jetës në Tiranë janë rritur më shpejt se pagat për të rinjtë, kështu që të rinjtë nga rrethet janë duke e përdorur kryeqytetin si një trampolinë për të emigruar në vendet e tjera.
Studentët po qëndrojnë në Tiranë sa për të përgatitur infrastrukturën, kurset gjuhet e huaja dhe kualifikimet teksa tentojnë të ikin me kontrata pune jashtë vendit.
Largimi i të rinjve ka qenë si një pandemi për Shqipërinë e tranzicionit dhe ky është dëmi më i madh që i shkaktuar sidomos perspektivës së zhvillimit.
Të dhënat e Cens 2023 tregojnë se Gjirokastra, Fieri, Lezha dhe Elbasani kishin rënien me të madhe të rinjve që nga viti 2011.
Gjirokastra që është edhe qarku më i plakur i vendit u përball me rënien më të fortë të numrit të rinjve ndërmjet dy censeve me 55%.
