Shqipëria është para një nevoje urgjente për të përmirësuar financimin për sektorin e arsimit dhe për një shpërndarje më të mirë të burimeve vuri në dukje UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë) në një analizë të posaçme të Arsimit në Shqipëri që u publikua kohët e fundit.
Analiza gjeti dobësi në menaxhimin e sektorit dhe sidomos në lënien pas dore të financimeve të cilat kanë pësuar ulje në raport me PBB-në dhe shpenzimet totale buxhetore gjatë dekadës.
Sipas UNESCO shpenzimet për arsimin në vitin 2010 zinin 12% të buxhetit të Shqipërisë dhe 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa në 2021 shpenzimet publike për arsimin zinin vetëm 9.8% të buxhetit total dhe 3.1 % të PBB. Në tre vitet në vijim sipas të dhënave të brendshme këto raporte janë përkeqësuar me tej.
“Përmirësimi i burimeve për arsimin është kritik për të siguruar që Shqipëria të adresojë sfidat përpara dhe të sigurojë që të gjithë fëmijët të marrin arsim cilësor për të plotësuar kërkesën aktuale dhe të ardhshme të ekonomisë” thuhet në raport.
Të ardhurat e qeverisë përbënin 28% të PBB në buxhetin e 2022 dhe kanë qenë në një trend në rritje gjatë dekadës së fundit. Shpenzimet buxhetore ishin 32% e PBB-së në 2022. Shpenzimet buxhetore kryesisht përqendrohen për mbrojtjen sociale dhe shpenzimet kapitale, këto të fundit zënë 22 % të totalit të buxhetit.
