Prej kur është parë që Rusia ka dështuar ta pushtojë Ukrainën në javët e para të luftës, të gjithë e kanë përsëritur vetëm një shprehje për mbi dy vjet rresht, që luftës nuk po i shihet fundi.
Por, në javët e fundit situata ka ndryshuar, nisur nga lëvizjet në fushëbetejë, si dhe qëndrimet publike të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili kthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar. Ai është zotuar se do t’i japë fund konfliktit më të madh në Evropë, prej Luftës së Dytë Botërore, brenda një apo dy ditëve.
Nëse me përfundim nënkuptohet një marrëveshje paqësore, atëherë jo, vlerësojnë shumë analistë – kryesisht për shkak se presidenti rus, Vladimir Putin, e kundërshton këtë ide, përveç nëse Moska do të ketë një shkallë dominimi mbi Ukrainën, diçka e papranueshme për Kievin dhe vendet aleate.
Ekspertët besojnë se Putin dëshiron që Rusia të përbëjë kërcënim të vazhdueshëm për Ukrainën dhe ta sfidojë Perëndimin, të cilin e konsideron si agresor në konfrontim qytetërues.
Ukrainasit, në anën tjetër, nuk duan paqe nëse ajo nënkupton dorëzimin final të një pjese të territorit te Rusia, dhe nëse duhet të heqin dorë nga kërkesat që Rusia të mbahet përgjegjëse për krimet që ka kryer ndaj Ukrainës dhe banorëve të saj.
