Qeveria ka hapur garën për ndërtimin e stadiumit të ri “Selman Stërmasi” me premtimin për investim madhor në bashkëpunim me sektorin privat. Projekti synon transformimin e infrastrukturës sportive dhe urbane të zonës duke i hapur rrugë ndërtimeve në hapësirat krah stadiumit.
Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH), organ në varësi të qeverisë që merret me menaxhimin dhe zhvillimin e pronave shtetërore, shpalli zyrtarisht garën më 24 dhjetor, me afat aplikimi deri më 24 janar.
Edhe pse gara njoftohet vetëm për stadiumin, në fakt sipërfaqja që i nënshtrohet projekt-idesë për zhvillim është e gjithë zona: rreth 57 mijë metra katrorë truall ku parashikohen maksimalisht 120 mijë metra katrorë ndërtim mbi tokë.
Zona rreth “Selman Stërmasit”, e cila deri më sot i ka shpëtuar betonizimit masiv, është tani e kërcënuar nga planet e Korporatës. Një pjesë e aneksit të stadiumit me fushat sportive mund të preket nga zhvillimi urban
Zanafilla
Mundësia e ndërtimeve në zonën rreth stadiumit “Selman Stërmasi” u hap në vitin 2019 nga Bashkia Tiranë me ndryshimet e Planit të Përgjithshëm Vendor (PPV). Zona (TR/239) u bë subjekt për Plan të Detajuar Vendor (PDV) – shiko dokumentin Fq. 40.
Më parë ajo konsiderohej zonë e konservuar, pa ndërtime, veçse “për ristrukturim” dhe që nuk ishte subjekt PDV-je.
Me ndryshimin e PPV-së, zonës iu futën dy instrumente zhvillimi si “intensiteti i ndërtimit” dhe “transferimi i së drejtës së zhvillimit” – prona private nuk shpronësohet, por e drejta e zhvillimit transferohet tjetërkund në rastet kur Bashkia e përdor truallin për hapësira publike.
Nën këtë dinamikë, në vitin 2022, Bashkia miratoi PDV: TR/239 ku pjesa veriperëndimore e zonës rreth stadiumit u ri-kategorizua nga “aktivitete sociale dhe rekreacion” në “nën-njësi zhvillimi për banim”.
