Tenderat dhjetra milionë euro të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) kanë krijuar një situatë oligopoli, në të cilën fondet qeveritare ndahen mes një grushti të vogël kompanish private, disa prej të cilave të lidhura mes tyre.
Një pozicion të rëndësishëm në këtë “oligopol” ka biznesmeni Ermal Beqiri, i cili aktualisht zotëron dy prej shoqërive që janë prezent në rolin e fituesit në tenderat e majmë të AKSHI-t, “Soft & Solution” dhe “Horizon”.
“Perandoria” informatike e Beqirit është ngritur mbi një të shkuar të diskutueshme të tij.
Emri i Ermal Beqirit u bë i njohur për publikun në vitin 2021. Në atë kohë, inxhinjeri elektronik 30-vjeçar nga Gjirokastra dhe drejtor i Teknologjisë së Informacionit në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, u përzgjodh si një prej ekspertëve të thirrur në procesin për “korrupsion” që po zhvillohej në Gjykatën e Lartë ndaj ish.zv.kryeministrit, Ilir Meta.

Roli i Beqirit dhe kolegëve të tij ishin të ekspertonin videon e njohur në publik si “Meta-Prifti”, në të cilën aludohej se Ilir Meta dhe miku e bashkëpunëtori i tij i hershëm, Dritan Prifti, të dy pjesë e qeverisë, diskutonin për “ndarje parash, në shumën 700 mijë euro”.
Ekspertiza e kryer nga Ermal Beqiri dhe ekspertët e tjerë konkludoi se “videoja ishte e përpunuar” dhe se teksti ishte nxjerrë nga konteksti. Bazuar në këtë ekspertizë, trupa prej 5 gjyqtarësh e Gjykatës së Lartë shpalli të pafajshëm Ilir Metën.
Paralelisht me këtë proces, Beqiri, i cili krahas punës në Rektorat, ishte edhe pedagog në universitetin “Kristal”, krijon një kompani private, “Al-Forensic”, së bashku me kolegun e tij, Ardian Pollo, një tjetër ekspert i thirrur për videon “Meta-Prifti”.
Kjo shoqëri nuk pati sukses të dukshëm. Dy aksionerët e pezullojnë aktivitetin e shoqërisë në vitin 2015, ndërkohë që fitimi për vitin e fundit ishte vetëm 300 mijë lekë të reja.
Më herët, Ermal Beqiri nuk kishte pasur sukses as me një kompani tjetër, “Al-Soft”, të cilën e krijoi dhe e mbylli brenda vitit 2010.
Beqiri rishfaqet në publik në fund të vitit 2013, në atë që konsiderohet si “skandali i serverit të Tatimeve”.
Në nëntor të atij viti pati dyshime të forta se kishte ndërhyrje të paligjshme në serverin qendror të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Për verifikimin e situatës, pranë Tatimeve shkuan deputeti i Komisionit të Sigurisë në atë kohë, Spartak Braho, i shoqëruar nga eksperti Ermal Beqiri. Në atë kohë u mësua se Beqiri shërbente si këshilltar informatik pranë kabinetit të kryeministrit Edi Rama.

Ermal Beqiri dhe Panajot Gjiknuri, vëllai i ish-ministrit Damian Gjiknuri, kryen auditimin administrativ të këtij rasti, sipas dëshmive të bëra publike gjatë Komisionit Hetimor Parlamentar për “serverin e Tatimeve”, të zhvilluar në vitin 2016.
