Provokuesi largohet: Bilanc i presidencës hungareze të BE

Data

Presidenca hungareze e BE merr fund këto ditë. Si rregull një shtet anëtar i Bashkimit Evropian merr presidencën gjashtëmujore të Këshillit të BE-së. Por në rastin e Hungarisë,  mund të flitet me siguri për një person të presidencës – sepse në politikën e qeverisë hungareze, Viktor Orban është i vetmi që ka rëndësi. Ai vendos politikat, përcakton zgjedhjen e retorikës dhe merr vendime, ndonjëherë deri në proceset më të vogla administrative.

Salla blu e samitit të BE në Budapest, në tavolina ulur krerë shtetesh e qeverish të BE
Samit i BE në BudapestFotografi: Marton Monus/REUTERS

Kështu ndodhi edhe gjatë Presidencës Hungareze të Këshillit të BE këtë vit, e cila filloi më 1 korrik 2024. Në këtë moment, kishte njëfarë lodhjeje diplomatike me Orbanin në Evropë prej disa kohësh. Kryeministri i Hungarisë u anashkalua për iniciativa dhe marrëveshje të rëndësishme, veçanërisht ato që synonin mbështetjen e Ukrainës, për shkak të politikës së tij të vazhdueshme të vetos – ku ai shfaqej shpesh si ngatërrestar në margjinat diplomatike dhe niveli i përgjithshëm i indinjatës kishte rënë.

Gjashtë muaj më vonë, mund të thuhet se Orban e shfrytëzoi maksimalisht presidencën e tij në Këshillin e BE-së me deklarata, dalje publike dhe iniciativa të diskutueshme për ta rritur sërish valën e indinjatës. Agjitacioni i tij kundër “burokratëve të Brukselit” arriti nivele të reja. Kulmi u arrit disa ditë para përfundimit të Presidencës së Këshillit në një deklaratë të rëndë: “Brukseli dëshiron ta kthejë Hungarinë në Magdeburg”, tha Orban më 21 dhjetor 2024 gjatë konferencës së tij tradicionale ndërkombëtare për shtyp të fundvitit në BE, (referimi ishte për sulmin me automjet në Magdeburg, të kryer nga një mjek arab, shën red.).

Orban takohet me Putin në Moskë
Viktor Orban dhe Vladimir Putin në Moskë, 05.07.2024. Orban shkoi në Moskë në fillim të presidencës hungareze, gjë që shkaktoi debatFotografi: Valeriy Sharifulin/SNA/IMAGO

“Misioni i paqes” i Orbanit

Vendi që mban Presidencën e Këshillit të BE-së duhet, të paktën në letër, të promovojë bashkëpunim të mirë dhe harmonik ndërmjet shteteve anëtare të BE-së dhe institucioneve të BE-së. Ai duhet të sigurojë vazhdimësinë e agjendës së BE-së dhe të avancojë legjislacionin evropian. Presidenca mund të vendosë prioritete, por nuk duhet të ndjekë interesat e veta, por të veprojë në interes të komunitetit të shteteve të BE-së.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related