Me rastin e festës së Vitit të Ri, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka ndarë një mesazh për gjithë qytetarët shqiptarë, teksa ka bërë bilancin e vitit 2024.
Kryeparlamentarja foli për sfidat që ka hasur Kuvendi, ku tha se gjatë dy sesioneve parlamentare ka pasur mjaft situata konfliktuale të vështira, ndërsa ndalet te progresi i Shqipërisë dhe anëtarësimit në BE.
Mesazhi i plotë:
Të dashur qytetarë të Shqipërisë,
Po arrijmë në fund të një viti, i cili kishte për Shqipërinë plot sfida, por edhe lajme të mira.
Gjatë dy sesioneve parlamentare, të gjashtë dhe të shtatë, kaluam mjaft situata konfliktuale e të vështira, por për fat të mirë, mirëkuptimi midis maxhorancës dhe opozitës hapi rrugën për një proces normal e produktiv parlamentar.
Secili prej nesh në sallën e Kuvendit, ka bindjet e veta dhe le t’i ruajë ato, por secili ka edhe përgjegjësitë e veta para Republikës dhe qytetarëve dhe duhet t’i ushtrojë ato.
Më i bukuri lajm i këtij viti ishte ecja jonë e pandalshme drejt familjes europiane, çka u konfirmua nga mbajtja e dy konferencave ndërqeveritare në tetor dhe dhjetor, dhe çelja e negociatave për grup-kapitullin 1-Themelorët, dhe 6-Politika e Jashtme, e Sigurisë dhe e Mbrojtjes.
Shqipëria është sot vendi kandidat që ecën më shpejt drejt familjes europiane.
Kuvendi do të vijojë të udhëheqë me vizion e vendosmëri këtë proces, duke e bërë atë sa më legjitim, demokratik e gjithëpërfshirës.
Gjatë vitit të kaluar zhvilluam 45 seanca plenare, ndër të cilat 42 të zakonshme, dy të posaçme dhe një sesion të jashtëzakonshëm.
Miratuam 129 akte ligjore, ndër të cilat 25 akte parësore, 45 akte ndryshuese, 52 marrëveshje dhe 7 akte normative.
Miratuam ligje që mbështesin sektorë të rëndësishëm të zhvillimit të vendit, fushat e ekonomisë, drejtësisë, sigurisë, mbrojtjes e sigurisë kibernetike, arsimit, shkencës, mbrojtjes shoqërore, shëndetësisë, kulturës, zhvillimit të qëndrueshëm, mbrojtjes së mjedisit etj.
